Proceset integruese Mali i Zi – BE (2)

0

Shkruan: Granit Hoxha – Politolog

Neni 49 i Traktatit mbi themelimin e BE-së thotë: ” Çdo shtet Evropian i cili respekton vlerat e cekura në nenin 2 dhe është i përkushtuar në avancimin e tyre, mund të parashtroi kërkesën për t’u bërë anëtar i BE-së. Parlamenti Evropian dhe parlamentet kombëtare njoftohen për këtë kërkesë. Shteti aspirues i’a drejton kërkesën Këshillit të BE-së, i cili vepron unanimisht pasi konsultohet me Komisionin Evropian dhe pasi merr pëlqimin e Parlamentit Evropian, i cili vepron me shumicën e deputetëve që e përbëjnë”. Ndërsa, neni 2 i Traktatit mbi themelimin e BE-së thotë: “BE është themeluar sipas vlerave të respektit për dinjitetin njerëzor, liritë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe respektin për të drejtat e njeriut duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Këto vlera janë të përbashkëta për shtetet anëtare, në një shoqëri ku mbizotëron pluralizmi, jodiskriminimi, toleranca, drejtësia, solidariteti dhe barazia mes grave e burrave“.

Shtetet që dëshirojnë të jenë anëtare të BE-së duhet të plotësojnë kriteret për anëtarësim,të njohura si Kriteret e Kopenhagës, të cilat kritere janë formuar nga Këshilli Evropian në mbledhjen e tij në Kopenhagë, më 21 dhe 22 qershor në vitin 1993.

Kriteret e anëtarësimit në BE janë si më poshtë:

1. Kriteret Politike: stabiliteti i institucioneve të cilat garantojnë demokraci, shteti i së drejtës, respektimi i të drejtave të njeriut dhe mbrojtja e pakicave

2. Kriteret Ekonomike: ekonomi funksionale të tregut dhe kapaciteti për të përballuar presionin konkurrues në kuadër të tregut unik të BE-së

3. Kriteret e Acquis Communautaire: harmonizimi i legjislacionit kombëtar me atë të BE-së deri tek inkorporimi i së drejtës së BE-së në legjislacionin e shtetit përkatës gjegjësisht acquis communautarie dhe aftësia për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit, duke përfshirë pranimin e qëllimeve të bashkimit politik, ekonomik dhe monetar.

Në lidhje me procesin e anëtarësimit në BE, Këshilli Evropian i Helsinkit më 10 dhe 11 dhjetor të vitit 1999, ka konfirmuar se të gjitha shtetet që dëshirojnë të aderojnë në BE duhet të ndajnë vlerat dhe qëllimet që janë të përcaktuar në traktatet e BE-së. Këshilli Evropian i Helsinkit përcaktoi se përmbushja e kritereve të Kopenhagës është thelbësore për shtetet që dëshirojnë të jenë anëtare të BE-së. Në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE ekziston kushti shtesë i ashtuquajturi Procesi i Stabilizim Asociimit, i cili ka të bëj me bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. BE ka kërkuar përkushtim të mëtejshëm dhe të vazhdohet të punohet nga Mali i Zi në përmbushjen e kritereve të bashkëpunimit rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjën e pakicave.

Në këtë drejtim Mali i Zi në veçanti duhet të përmbushë prioritetet e mëposhtme të përcaktuara nga BE-ja:

– Të marrë hapa thelbësor në reformën e administratës publike duke përfshirë ndryshimet në ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, me qëllim për të rritur profesionalizmin dhe depolitizimin e administratës publike drejt qasjes transparente të bazuar në meritat e emërimeve.

– Përmirësimi i kornizës ligjore kundër korrupsionit dhe zbatimi i strategjisë kundër korrupsionit.

– Forcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe rritja e bashkëpunimit me partnerët rajonal dhe të BE-së.

– Zbatimi i politikave për anti-diskriminim në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Mali i Zi duhet t’i kushtoi vëmendje maksimale politikave të BE-së, me theks të veçantë në lëvizjen e lirë të mallrave, pavarësinë e gjyqësorit, drejtësinë, sigurinë, të drejtën e pronësisë intelektuale, politikat sociale dhe të punësimit, sigurinë e ushqimit, politikat bujqësore dhe zhvillimin rural, politikat e peshkimit, politikat rajonale, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjën e pakicave.

Politika e BE-së për Zgjerim, si një nga politikat më të rëndësishme të BE-së, kërkon përkushtim dhe menaxhim të mirë të procesit të anëtarësimit nga BE-ja dhe plotësim të kritereve nga ana e shteteve që janë të interesuara t’i bashkohen BE-së. Gjatë tërë procesit të anëtarësimit, nga aplikimi e deri të anëtarësimi në BE aplikohet principi “çdo vend vlerësohet sipas meritave të veta”. Duhet theksuar se, BE vlerëson çdo vend veç e veç dhe aplikon instrumente të ndryshme në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit për vendin aspirues.