Prishtinë: Mbi 20.000 njerëz në protesta

0

Mijëra njerëz kanë protestuar në qendër të Prishtinës me thirrjet Trepça është e jona, Jabllanoviq jashtë. Kjo protestë fillimisht ishte thirrur nga shoqata “Thirrjet e Nënave” dhe Lëvizja Vetëvendosje por ajo po mbështetet edhe nga partitë tjera opozitare dhe organizata të ndryshme.

Në emër të mijëra protestuesve të tubuar në qendër të Prishtinës, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti i ka dhënë kryeministrit Isa Mustafa 48 orë afat për të shkarkuar ministrin për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq.

 

Kurti i është drejtuar masës me fjalimin se do të pritet deri të hënën në orën 16:00, që Jabllanboviq të shkarkohet, kurse ka ftuar një protestë tjetër të martën më 27 janar, po në qendër të Prishtinës.

Qytetarët e ardhur nga të gjitha viset e Kosovës, u mblodhën fillimisht tek Biblioteka Kombëtare për të vazhduar më pas marshin para ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Qytetarëve të tubuar, fillimisht u është drejtuar Nesrete Kumnova, nga shoqata Thirrjet e Nënave. Ajo tha se kjo protestë po e kundërshton fashizmin e Serbisë, e cila la mijëra të vrarë e të pagjetur, mbi 20 mijë femra të dhunuara dhe tani po i fyen nënat e dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Fjalimi i Kumnovës u ndërpre disa herë me brohoritjet “Jashtë”, të cilat i drejtoheshin ministrit serb, Jabllanoviq dhe ministrave tjerë të Listës Serbe, subjekt ky politik i krijuar nga Beogradi por që përfaqëson serbët e Kosovës në institucione.