Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta priti kryetarin Nazif Cungu

0

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta priti sot në një takim Kryetarin e Partisë “Forca e Re Demokratike”, njëkohësisht kryetar i Komunës së Ulqinit, zoti Nazif Cungu.

Presidenti Meta vlerësoi kontributin e dhënë nga shqiptarët e Malit të Zi, në forcimin e marrëdhënieve shumë të mira mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe për Pavarësinë, anëtarësimin në NATO dhe integrimet Evropiane të Malit të Zi, shkruan në portalin zyrtar president.al.

Presidenti theksoi rëndësinë e përmirësimit dhe shtimin e pikave të kalimeve kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, sidomos zgjerimin e kalimit kufitar Sukobinë – Moriqan, si dhe mundësinë për kalimin e mallrave në këtë pikë të kalimit kufitar, duke pasur parasysh që kjo pikë e kalimit kufitar është e projektuar për kalimin e 400 mijë personave dhe tani ka tejkaluar mbi 2 milionë persona në vit.

Presidenti i Republikës vuri në dukje rëndësinë e madhe që ka përkrahja e shqiptarëve të Malit të Zi për partitë shqiptare, si në zgjedhjet vendore ashtu edhe në ato qendrore, si parti që mbrojnë drejtpërdrejtë interesat e tyre. “Unifikimi i qëndrimeve të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi, do ta bënte më të lehtë realizimin e të drejtave të shqiptarëve, ashtu siç janë në Kushtetutën e Malit të Zi.” – theksoi Presidenti Meta.

Zoti Cungu kërkoi ndihmë nga Presidenti Meta, që të ndikojë tek autoritet qendrore të Malit të Zi, në përmirësimin e ligjit zgjedhor në Mal të Zi, i cili do të përmirësonte dukshëm përfaqësimin e shqiptarëve në Parlamentin e vendit.