Presidenti Nishani në Anë të Malit: Krenarë e të nderuar që jemi shqiptarë!

0

“Nga Ana e Malit dëshiroj të bëj një vlerësim të posaçëm për të gjithë ata burra e gra të kësaj ane, të këtij trualli, të kësaj treve, të cilët me jetën dhe kontributin e tyre kanë ditur jo vetëm të paraqesin personalitetin individual, botën e madhe, kapacitetin e shquar intelektual të shqiptarit, por edhe të lënë një trashëgimi të pasur për ne që jetojmë sot dhe brezat që do të vijnë. Ndaj unë besoj se ky rrugëtim i gjatë dhe mundësitë që na janë hapur, na japin plot të drejtë që kurdo e kudo, në çdo moment që jemi ta themi me krenari: Po, unë jam shqiptar! Ne jemi të nderuar që jemi shqiptarë!”
Në kuadër të vizitës në Malin e Zi me rastin e Ditës së Ulqinit, Kreu i Shtetit shqiptar së bashku me Zonjën e Parë Odeta Nishani, mori pjesë edhe në një veprimtari të zhvilluar në Anën e Malit me praninë e personaliteteve të shquara shqiptare të jetës politike, publike e shoqërore të Komunës së Ulqinit

Pasi i falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, Presidenti Nishani, i përshëndeti të pranishmit e shumtë, duke theksuar mes të tjerash se ishte mirënjohës ndaj autoriteteve vendore për ftesën që iu bë në cilësinë e Presidentit të Republikës për të qenë i pranishëm në festën e Ditës së Ulqinit, një festë që përjetohet në mbarë hapësirën shqiptare të Malit të Zi e njëkohësisht nga të gjithë miqtë e dashamirësit e Ulqinit. “Jam i bindur që së shpejti emri i Ulqinit do të kthehet sërish në nivelet e turizmit evropian e më tej.” – u shpreh Presidenti Nishani.

“Ishte një ditë për të kaluar jo vetëm momente të mrekullueshme me vëllezërit dhe motrat, me bashkëkombasit shqiptarë në Ulqin, por edhe një ditë për të reflektuar të gjithë së bashku për atë çka bota shqiptare ka kaluar gjatë këtyre viteve dhe për atë çka bota shqiptare e ka si orientim, si objektiv e si pikësynim të rrugëtimit të saj të gjatë që ka përpara. Gjatë këtyre ditëve dhe javëve të fundit kam pasur fatin dhe privilegjin e madh që në cilësinë e Presidentit të Republikës të takoj e të udhëtoj në troje shqiptarësh duke u takuar me miq e dashamirës të shumtë në Bujanoc e Preshevë, e pastaj menjëherë në Gjirokastër. Para pak ditësh në Mirditë dhe sot në Ulqin dhe tani në Anë të Malit.

Kudo ku kam shkuar kam parë e kam gëzuar së bashku me bashkëkombasit tanë ato veçori, karakteristika, të kulturës, të dokeve e zakoneve të çdo treve, por në çdo vend, në çdo trevë e kudo midis shqiptarëve kam ndeshur një gjë të përbashkët, jo vetëm gjuhën jo vetëm identitetin tonë kombëtar, jo vetëm dashurinë për trashëgiminë e pasur, jo vetëm nderimin e respektin për flamurin kombëtar, për idealet tona kombëtare, por mbi të gjitha, atë që ne shquhemi në historinë mijëravjeçare të njerëzimit: mikpritjen, besën dhe burrërinë. Ato janë karakteristika të përbashkëta të shqiptarëve kudo ku ata ndodhen, por është edhe detyrë e gjeneratës së sotme që këtë trashëgimi të pasur e të vyer që e kemi marrë nga gjyshër e stërgjyshër, nga breza shekullorë të shqiptarëve, jo vetëm sot, ta ndiejmë si pjesë të krenarisë sonë kombëtare, si pjesë të krenarisë sonë komunitare, si pjesë të krenarisë sonë individuale, por njëkohësisht me përgjegjësinë më të madhe, për ta promovuar, prezantuar e për më tepër për ta trashëguar te brezat që vijnë.” – u shpreh Presidenti Nishani.

Duke folur për këtë trashëgimi të pasur, Presidenti Nishani nënvizoi faktin se brezat e sotëm, duhet të kenë pasur parasysh se: “gjithë këto vlera të shkëlqyera shqiptarët, jo vetëm i kanë trashëguar, por mbi të gjitha kanë ditur t’i ruajnë, t’i mbrojnë, t’i konservojnë përmes sakrificash të shumta, përmes një qëndrese e besimi se ajo që ka ardhur si trashëgimi e pasur e të parëve tanë është kontribut për rezistencë e për ekzistencë, për ruajtje identiteti kombëtar dhe për orientim drejt së ardhmes, e cila nuk ka dyshim se do të jetë më e mirë se kurrë më parë.”

Kreu i Shtetit vuri në pah besimin e tij se ky shekull i ri, ka treguar se është shekulli i shqiptarëve në kuptimin e kontributeve më të mëdha për veten e tyre, për trashëgiminë dhe identitetin e tyre, por edhe për rajonin dhe vendet ku shqiptarët jetojnë. “Sakrificat që kanë bërë shqiptarët në të kaluarën e tyre plot sfida, na demonstrojnë se kurrë nuk kanë shkuar kot, ndaj sot përulemi me respekt dhe nuk duhet të harrojmë sakrificat e bëra, gjakun e derdhur për ekzistencë, për identitet, për liri e për të drejta. Ato sakrifica të bëra ndër shekuj nga breza e breza duhet jo vetëm të mos i harrojmë, por të na shërbejnë si frymëzim për secilin prej nesh, për njerëz që kanë statuse të caktuara publike, mandate përfaqësimi, por edhe për qytetarët e thjeshtë, për të moshuarit, të rinjtë, nxënësit e shkollave, brezin më të ri për t’i parë ato si një mundësi për orientimin më të mirë të shqiptarëve në rrugëtimin që na pret. Shekulli i ri ëshët shekulli i shqiptarëve, sepse ata më në fund kanë dalë në hapësirën e lirisë, në hapësirën e mundësive dhe tani shqiptarët e kanë në dorën e tyre për të treguar se sa të rëndësishëm janë ata jo vetëm për identitetin e tyre, por edhe se sa të pazëvendësueshëm janë ata për rrugëtimin e rajonit dhe vendeve ku ata jetojnë dhe për perspektivën më të mirë të mundshme për gjithsecilin.” – nënvizoi Kreu i Shtetit shqiptar.

Duke renditur kontributet e shqiptarëve në vendin fqinj, Presidenti Nishani gjeti rastin të falënderonte nga zemra të gjithë qytetarët shqiptarë të Malit të Zi, përfaqësuesit e tyre politikë dhe institucionalë, të gjithë veprimtarët e tyre shoqërorë dhe akademikë për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë duke inspiruar vlerat më të mira euro-atlantike, jo vetëm në komunitetin shqiptar të Malit të Zi, por në tërësi në shoqërinë malazeze.

Pasi foli për sfidat e së kaluarës dhe atyre aktuale, Presidenti u shpreh se: “Kemi përgjegjësinë për të bërë sakrifica në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, e cila është e pandarë nga çështjet e paqes, stabilitetit, të mirëkuptimit, bashkëjetesës, respektit të ndërsjellë dhe të ecjes përpara. Unë besoj se sot Shqipëria e lirë, Kosova e lirë, ajo çka kanë arritur shqiptarët në Maqedoni e Mal të Zi, përpjekjet që bëjnë shqiptarët në Luginën e Preshevës. Tregojnë më shumë se kurrë se sa i rëndësishëm është dimensioni i lirisë dhe se sa shumë mund të bëjmë ne kur nuk jemi të izoluar, kur jemi të lirë, kur jemi në hapësirë demokracie dhe kur kemi mundësi për të prezantuar dhe vënë në jetë kapacitetet tona individuale, mbështetur gjithmonë në parimet më të mira të identitetit kombëtar.”

“Nga Ana e Malit dëshiroj të bëj një vlerësim të posaçëm për të gjithë ata burra e gra të kësaj ane, të këtij trualli, të kësaj treve, të cilët me jetën dhe kontributin e tyre kanë ditur jo vetëm të paraqesin personalitetin individual, botën e madhe, kapacitetin e shquar intelektual të shqiptarit, por edhe të lënë një trashëgimi të pasur për ne që jetojmë sot dhe brezat që do të vijnë. Ndaj unë besoj se ky rrugëtim i gjatë dhe mundësitë që na janë hapur, na japin plot të drejtë që kurdo e kudo, në çdo moment që jemi ta themi me krenari: Po, unë jam shqiptar! Ne jemi të nderuar që jemi shqiptarë! Të rrojë Shqipëria! Të rrojë kombi shqiptar!” – theksoi Presidenti i Republikës në përshëndetjen e Tij.