Presidenti kolumbian nderohet me Çmimin Nobel për Paqe

0

Sot Komiteti Norvegjez Nobel në Oslo bëri të ditur fituesin e Çmimit Nobel për Paqe, ku presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos , u dekorua me këtë çmim, të motivuar në përpjekjet e vendosura të Santos-it që luftës civile më se pesëdhjetë  vjeçare t’i japë një fund paqësor, luftë kjo që ka rrëmbyer jetën e së paku 220 000 kolumbianëve dhe ka ndikuar në zhvendosjen e deri 6 milion njerëzve.

Edhe pse gjatë javës së fundit, në Kolumbi u mbajt referendumi për marrëveshjen e paqes me rebelët e FARC-ut, e cila u refuzua nga shumica, ky gjest nuk pengoi që presidentit Santos të kthehet në nobelist.

Çmimi Nobel për Paqe ndahet që nga viti 1901 dhe gjer  më sot është ndarë  96 herë, gjithsej 129 laureatëve.  Përveç Santos-it, me të njëjtin çmim janë dekoruar në vitet paraprake shumë institucione e persona me fame botërore, shumë prej tyre politikanë e aktivistë si: Theodore Roosevelt (1906), Martin Luther King Jr. (1964), Nënë Tereza (1979),  Nelson Mandela (1993), Yasser Arafat (1994), Barak Obama (2009), Unioni Evropian (2012), Kailash Satyarthi (2014), Malala Yousafzai (2014), njëherit edhe fituesja më e re, e cila ishte vetëm 17 vjeçare kur u dekorua me këtë çmim.

Është interesante të përmendet fakti që në vitin 1973, njëri ndër fituesit e Çmimit Nobel për Paqe, Le Doc Tho, e refuzoi  çmimin duke deklaruar  që puna e tij nuk përkon për atë çmim.

Megjithatë, Le Doc Tho nuk ishte i pari që refuzoi Nobelin. Këtë e bëri nëntë vite më parë shkrimtari e filozofi francez Jean-Paul Sartre, i cili refuzoi Çmimin Nobel për Letërsi duke theksuar që  shkrimtari duhet të refuzojë të transformohet në institucion, edhe nëse kjo ngjanë në formën më të nderuar.
Një lloj refuzimi bëri edhe Boris Pasternak, kur u vlerësua për veprën kolosale Doktor Zhivago, por atëbotë rrethanat ishin të tilla që e detyruan ta refuzonte çmimin.

Të mërkurën u  emëruan edhe fituesit  e këtij viti  të Çmimit Nobel për Kimi, që janë francezi  Jean-Pierre Sauvage, një nga akademikët më të njohur të Universitetit të Strasburgut, teksa drejton kërkimet shkencore në Qendrën Kombëtare Franceze të Kërkimit, skocezi  Sir J. Fraser Stoddart, që vepron në Universitetin “Northwestern” në SHBA dhe  holandezi  Bernard L. Feringa,  profesor i Kimisë Organike në Universitetin e” Groningen-it”, Holandë. Motivi për ndarjen e çmimit ishte dizajnimi dhe sintetizimi i makinave molekulare, makina këto më të vogla se një qime floku.