Preshevë: Serbia u bllokon tekstet mësimore, shkollat bojkotojnë mësimin

0

Shkollat fillore dhe të mesme në Preshevë kanë filluar sot bojkotin e mësimit.

Kjo, pasi që arsimi në gjuhën amtare, nuk po respektohet ashtu siç është i garantuar me ligjet dhe kushtetutën në fuqi, transmeton lajmi.net

Ky vendim është marrë në mbledhjen e mbajtur mes Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe aktivit të drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme me mësim në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës.

Në një komunikatë për media të dalë nga kjo mbledhje thuhet se në shkollat me mësim në gjuhën shqipe ende nuk ka arritur donacioni prej 103,222 tekste mësimore nga Republika e Kosovës. Ato tekste sipas komunikatës kanë mbetur të bllokuara që nga 10.09.2015 në terminalin doganorë në Preshevë.

“Deri më tash Këshilli Kombëtar Shqiptar iu është drejtuar të gjitha institucioneve shtetërore të Republikës së Serbisë dhe përfaqësive ndërkombëtare, për zgjidhjen e kësaj çështje të ndjeshme dhe komplekse. Por nuk ka pas gatishmëri institucionale dhe vullnet politikë që në mënyrë serioze të zgjidhet mungesa e teksteve mësimore në gjuhën shqipe e aq më pak për lirimin e teksteve nga terminali doganor”, thuhet më tutje në komunikatë