Presheva gati për vizitën e Ramës

0

Udhëheqësit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës presin me entuziazëm vizitën e Kryeministrit Edi Rama.

Ata thonë se kjo do të ndikojë pozitivisht në realizimin e të drejtave të shqiptarëe që jetojnë në Serbi.

“Së pari vizita e një kryeministri shqiptar në Serbi do të jetë një mundësi e madhe që të kontribohet së pari në normalizimin e raporteve që prej një kohe të gjatë janë jonormale. Në këtë drejtim besoj se rezultati do të jetë historik, nëse ka hapa konkretë në normalizimin e raporteve. Ky normalizim do të kontribuojë që shqiptarët e Luginës së Preshevës të marrin frymë më lehtë”, thotë Riza Halimi, deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë.

“Kryeministri i Republikës së Shqipërisë do të vizitojë Preshevën dhe Bujanocin, atje ku ka më së shumti shqiptarë. Në këto komuna që në 102 vite pavarësi të Shqipërisë, asnjë president dhe asnjë kryeministër shqiptar nuk ka vizituar këto treva. Vizita do të krijojë një dozë shumë të madhe të sigurisë së shqiptarëve në këto troje dhe në këtë drejtim do të kuptohet se shqiptarët e Preshevës nuk janë të lënë pas dore nga shteti i tyre amë”, thotë kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.

Në Preshevë kanë nisur të shfaqen në rrugë dhe sheshe mesazhet e para të pritjes së Kryeministri Rama. Pas mbërritjes në këtë qytet të martën, parashikohet një takim me qytetarët dhe me zyrtarë politikë dhe aktivistë të rinj.

Janë marrë masat të forta sigurie dhe përfaqësues zyrtarë kanë hartuar axhendën. Kjo është vizita e parë e Ramës në Preshevë si kryeministër, ndërkohë që më parë ka qenë si udhëheqës i opozitës shqiptare./ Top Channel