Përurohet poezia e Haxhi Shabanit në gjuhën malazeze

0

Qendra për Ruajtjen e Kulturës së Pakicave në bashkëpunim me Bibliotekën Radosllav Lumoviq organizojnë përurimin e përmbledhjes me poezi të poetit Haxhi Shabani në gjuhën malazeze me titullin „Amerika moja”.
Përurimi do të mbahet në Podgoricë në Bibliotekën Radosllav Lumoviq, të martën më 14. 6. 2016, duke filluar në orën 19.
Në këtë veprimtari do të flasin kritiku letrar Vllatko Simunoviq, redenzenti i librit Bogiq Rakoçeviq dhe autori i librit, Haxhi Shabani.

Haxhi Shabani lindi, më 9 qershor 1963 në Anë të Malit-Ulqin. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Ulqin. Fakultetin Filozofik, Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e kreu në Prishtinë, më 1987. Kreu studimet pasuniversitare në vitin 2006 në Fakultetin Filologjik, Degën e Gjuhës shqipe duke mbrojtur magjistraturën shkencore me titullin “Dygjuhësia te shqiptarët e Ulqinit” te mentor akademik Rexhep Ismajli.

Në fushë të krijimtarisë letrare botoi tri përmbledhje me poezi: “Të kërkoj” (1995) dhe “Natë e portokalltë” (1998), “Jam ai që nuk jam” (2010) . Është përfshirë në përzgjedhjen e shkrimtarëve shqiptarë në Mal të Zi “Dritaren lëre hapur”, botuar nga Art Club, në vitin 1998. Është përfshirë po ashtu në vëllimin poetik përzgjedhës në shqip e anglisht “Manifestimi letrar ndërkombëtar Ditët e Naimit 2000”. Në takimin ndërkombëtar letrar “Ditët e Naimit” që organizohet në Tetovë, në vitin 2001 për poezinë “Amerika më merr më të mirë” shpërblehet me çmimin e parë “Qiriu i Naimit. Nga viti 2007-2012 është kryetar i Shoqatës së Krijuesve Art Klub nga Ulqini e cila është organizatore e veprimtarive letrare, kulturore, shkencore dhe botuese.

Në vitin 2011 në kuadër të librit “Pet Albanskih knjizevnika u Crnoj Gori” (Pesë shkrimtarë shqiptarë në Malin e Zi) botohet një zgjedhje nga poezia e tij.

Është bashkautor i librave shkollorë per klasën e pestë të shkollës fillore, “Libri më bën te ditur (libër leximi) dhe Shija e leximit (ditar i leximit), botuar ne vitin 2013.  

Në vitin 2013 botoi librin “Shqiptarët në Malin e Zi, çështje e pazgjidhur”.

Në vitin 2016 boton librin me poezi të zgjedhura në gjuhën malazeze “Amerika moja”. Po gjatë këtij viti ka realizuar filmin dokumentar “Ndërmjet”, film dokumentar për shqiptarët në Malin e Zi.

Qendra për Ruajtjen e Kulturës së Pakicave

Podgoricë, 15 maj 2016