Përmbyset anija, mbyten reth 700 persona

0

Një peshkarexhë me në bord rreth 700 klandestinë është mbytur gjatë natës në Kanalin e Siçilisë. 

Agjensia italiane e lajmeve Ansa njofton se mjeti lundrues është përmbysur rreth 100 kilometra në veri të Libisë.

Janë shpëtuar vetëm 28 persona.

Sipas informacioneve të para, mbrëmjen e së shtunës peshkarexha kishte kërkuar ndihmë te Roja Bregdetare italiane, pasi mjeti kishte vështirësi në lundrim.

Salla operative ka dërguar për ndihmë një anije tregtare portugeze. Mendohet se në momentin që e kanë parë anijen, klandestinët kanë shkuar të gjithë në njërën anë të peshkarexhës duke e përmbysur atë.

Ndërkohë, ka nisur një operacion shpëtimi në Kanalin e Siçilisë, i koordinuar nga Roja Bregdetare italiane, ku marrin pjesë njësi ajrore dhe detare.

Deri tani, janë rekuperuar 21 kufoma.