Pas shumë vitesh neglizhencë infrastruktura e Ulqinit më në fund po modernizohet.

0

Për shumë vite me radhë infrastruktura e Ulqinit është lënë pas dore dhe komuna jonë renditej në nivelet më të ulta në rang shtetëror për sa i përket investimeve infrastrukturore.  Mungesa e infrastrukturës ishte jo vetëm një pengesë për qytetarët por edhe për investitorët dhe turistët. Modernizimi i infrastrukturës njihet si një kontribut i drejtpërdrejtë në rritjen e ekonomisë dhe të punësimit pasi nxit investimet e huaja.

Modernizimi i infrastrukturës në komunën e Ulqinit  është bërë i domosdoshëm për të zhvilluar turizmin, zhvillimin e bujqësisë dhe biznesin e vogël.  Mirëpo në periudhën e fundit qytetarët kanë përjetuar një vrull të vërtetë për sa i përket investimeve infrastruktuore në shumë sektorë. Po t’i bëjmë një përmbledhje të investimeve në Komunën e Ulqinit vihet re që në dy vitet e fundit, ato kanë qënë të larmishme në shumë sektor. Komuna e Ulqinit flet për 74 ndërhyrje infrastrukturore të ndëmarra prej saj që kanë pasur fokus kryesor infrastrukturën rrugore, ndriçimin modern, energjinë, zbukurimet dhe mbjelljen e gjelbërimit, ndërtimin dhe përmirësimin e sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve, mbrojtjes nga vërshimet dhe zjarret. Të shumta kanë qënë ndërhyrjet në lagje dhe zona të ndryshme të komunës siç janë ajo e Mëhallës së Re, Meraja, Pinjesh, Plloç, Meterizë, Ranë, Kala, Braticë, Mal i Bardhë, Kodra, Totosh, në Rrethina, Shtoj, e në Anë të Malit.

Ura e re e Klleznës

Në listën e investimeve të rëndësishme infrastrukturore, në krye qëndron  rikonstruktimi i shumëpritur i rrugës nacionale Ulqin-Kryth e cila do të përmirësoj ndjeshëm ofertën turistike dhe biznesin e fshatrave në këto zona duke i lidhur ata më mirë me Ulqinin, Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Malit të Zi. Ky është investimi më i madh fal këmbënguljes së Komunës i cili arrin një vlerë prej 5.8 milionë euro. Me përmasa të mëdha është edhe projekti që pritet të realizohet për ujësjellësin. Bëhet fjalë për një projekt gjigand me vlerë 20 milionë euro për furnizimin e rregullt me ujë për të gjithë banorët e Ulqinit. ”. Një nisëm tjetër me rëndësi për banorët e komunës që kanë vuajtur prej kohës për furnizimi të vazhdueshëm me rrymë,  ishte edhe ndërtimi i  trafo-stacionin 35 kv për qytetin. Në vazhdim është parashikuar që të investohen 2 milionë euro për modernizimin e rrjetit elektrik në mënyrë që e gjithë komuna mos të ktë më problem me rrymën.

Një vëmendje e veçantë nga Komuna i është kushtuar infrastrukturës urbane dhe përmirësimit të trafikut në qytet ku në sy bie ndërtimi i rreth-rrotullimit në qendër të qytetit me vlerë 300.000 euro i cili hap fazën e dytë për nisjen e Bulevardit “Nënë Tereza. Në aspektin e shërbimeve publike vlen të përmenden rregullimi i pazarit të peshkut në Ulqin dhe tregu i gjelbër në Anë të Malit që mundëson tregtimin në kushte me optimale të produkteve.  Para pak ditësh nisi ndërtimi i urës së Millës që ndikon drejtpërdrejtë tek banorët e fshatrave Kosiq, Bojkë e Mill.  Vlejnë mandej të përmenden disa ndërhyrje urbane si rregullimi i infrastrukturës në Plloç, rregullimi  apo zbukurimi i rrugës Ymer Prizreni në Mëhallë të Re që e rrit hijeshinë e qytetit. Një tjetër nismë me rëndësi e Komunës ka qenë asfaltimi i rrugëve lokale nëpër qytetin e Ulqinit dhe rrethina me sistemin e financimit, 50% komuna – 50 % qytetarët.  Po ashtu kanë filluar edhe investimet serioze në kanalizimet e ujërave të zeza që kanë për të pasur një ndikim shumë cilësor në mjedis. Para pak ditësh u përuruan edhe dy pika vrojtimi panoramike në Valdanos dhe Shtegvash që synojnë të promovojnë turizmin në këto zona piktoreske.

Trotuari dhe ndriçimi në Mhallë të Re

Nga ana tjetër përmes aprovimit të Planit Hapsinor, t një sërë investimesh pritet të realizohen si pjesë e këtij plani. Disa prej tyre janë; Zgjerimi i rrugës magistrale Ulqin-Bunë, realizimi i pikës kufitare në Shënkoll, realizimi i projektit të hapjes së  rrugës Pinjesh- Gjerana, ndriçimi publik i aksit rrugor Shtoj-Adë, ndriçimi i aksit rrugor deri në Valdanos, ndriçimi publik Katërkollë-Krythë dhe ndriçimi publik i tunelit Qafa në Krruç të Ulqinit. Një pikë e veçantë është edhe zgjidhja e problemit të trafikut të ngjeshur gjatë sezonit turistik. Kështu implementimi i vendimit të aprovuar për formimin e shërbimit të parkimit, ndërtimi i garazheve nën Kala, në Fushën e Uqinit dhe pranë gjimnazit duhet të japin rezultatet e duhura në zgjidhjen e këtij problemi. Ndërkohë Komuna e Ulqinit, ka paralajmëruar edhe nisjen e punës për zgjerimin e rreth-rrotullimit në hyrje të qytetit, plan-projektin për ndërtimin e impiantit modern të stadiumit të ri të Ulqinit në zonën e Mavrijanit.

Të gjitha këto investime  infrastrukturore përpos se kanë qenë një domosdoshmëri në përmirësimin e nevojave dhe përmirësimin e jetës për qytetarët e Ulqinit ato kanë dhënë efekte pozite në afatgjatë për sa i përket përmirësimit të ofertës turistike për vizitorët dhe zhvillimin e biznesit lokal. Një vërshim të tillë masiv investimesh infrastrukturore e ka shndërruar Komunën e Ulqinit në një kantier të vërtetë dhe e ka vendosur në pararojë të modernizimit të infrastrukturës në nivel shtetëror.