Partitë serbe: Abazoviq po lëndon ndjenjat e popullit tonë

0

Partitë Demokracia Serbe e Re (NOVA) dhe Partia Popullore Demokratike (DNP), kanë hedhur akuza të ashpra mbi deputetin e pavarur Dritan Abazoviq.

Pas deklaratës së tij se nuk sheh asgjë problematike në vizitën e Hashim Thaçit , partitë pro serbe kanë harruar shpejt deklaratën e tij se serbët janë populli më i rrezikuar në Mal të Zi. Bile ato e kanë quajtur atë deklaratë si tentativë për të hyrë në korpusin zgjedhor të tyre.

Funksioneri i NOVA-s Radosh Zeçeciq e akuzoi Abazoviqin edhe si shkakun kryesor që nuk u arrit marrëveshja në mes tyre dhe Malit të Zi Pozitiv në Nikshiq vitin e kaluar. Sipas tij, Abazoviqi ishte ideator i platformës ku kerkohej nga këto parti pranimi i Kosovës dhe intergrimet euroatlantike.

Ai quajti të papranueshme të jepen deklarata në favor të vizitës se “kasapit të Drenicës” siç e quan ai, dhe se kjo është fyerje për popullin serb dhe malazez në Mal të Zi.

Edhe Milun Zogoviq i DNP-së nuk shprehu habi për deklaratat e Abazoviqit, duke thënë se politika e Abazoviqit është e njëjtë me atë të PDS-së (DPS).

“Është e parëndësishme në këtë moment nëse këto deklarata janë qëndrimi i tij personal apo edhe i grupacionit që ai përfaqëson. Me rëndësi është mesazhi që ato përcjellin dhe të cilin ne e kemi marrur shumë seriozisht.”, tha në mes tjerash Zogoviq.