Paragjykimet ndaj shqiptarëve në Zvicër: “Çka, ti je shqiptare?”

0

Gazeta zvicerane «Tages Anzeiger» interviston dy studente dhe një student shqiptar për të dëshmuar sa të pasakta janë paragjykimet ndaj shqiptarëve.

Burim Lusha, Vjosa Ismaili dhe Arbnora Aliu studiojnë në Universitetin e Zürichut dhe në Universitetin e Shkencave të Aplikuara

A ndiheni në Zvicër më shumë shqiptar apo më shumë zviceran?

Burim Lusha: Në këtë pyetje nuk mund të jepet një përgjigje përfundimtare. Për mua është pasurim që jam rritur në dy vende.

Ka vazhdimisht diskutime nëse futbollistët me origjinë shqiptare që luajnë për kombëtaren e Zvicrës janë ‘zviceranë të vërtetë’.

Lusha: Në perceptimin publik shqiptarët në radhë të parë janë shumë të aftë vetëm në sport. Ndërkaq nuk merret parasysh se ndërkohë edhe në Universitet, në Shkollën e Lartë Teknike dhe në Universitetin e Shkencave të Aplikuara ka shumë studentë shqiptarë dhe doktorantë. Meqë nuk ekziston një kodeks i qartë i vlerave se çka e përbën një ‘zviceran të vërtetë’, kjo akuzë mua më duket tepër e turbullt.

Shqiptarët janë ose futbollistë, sportistë të sporteve luftarake apo roje. E saktë?

Vjosa Ismaili: Për fat të keq kështu e perceptojnë shumë njerëz. Që në gjimnaz vazhdimisht më kanë pyetur: çka, ti je shqiptare? Sipas motos: nëse je shqiptare, ti s’mund të studiosh.

Arbnora Aliu: Me situata të tilla ballafaqohem edhe sot në Universitet. Pasi që komentet dhe pyetjet e tilla i konsideroj tejet të pavend, unë me ironi them se më kanë martuar me forcë dhe unë studioj fshehurazi në Universitet. Pastaj nuk diskutohet më tutje. E vërteta është se prindërit e mi kanë studiuar në ish-Jugosllavi. Në familjen time është e vetëkuptueshme të studiosh.

Si qëndron puna me maçot e Ballkanit? A ekzistojnë apo jo?

Ismaili: Nuk i lexoj më raportet e shtypit, sepse nuk i përgjigjen realitetit.

Aliu: Ajo çfarë shkruhet për maçot e Ballkanit për mua është e panjohur, si në shtëpi ashtu edhe në rrethin tim. Nuk duhet të lejohet që një popull i tërë të njolloset kështu.

Nëse një tinejxher gjatë pauzës në oborrin e shkollës në Prishtinë fyen tjetrin me nënë. Çfarë do të ndodhte?

Aliu: Kjo s’do përfundonte mirë. Kjo sjellje nuk ka me shqiptarët. Ajo rrjedh nga rep-kultura e gangsterëve dhe ndikon përmes youtube, instagram dhe twitter edhe te të rinjtë, përfshirë zviceranët.

Lusha: Kur lexoj që një drejtor shkolle thotë: “Fëmijët mësojnë në shtëpi se nëna nuk ka vlerë”, atëherë më duhet të vë në pyetje seriozitetin e këtij personi. Në kulturën shqiptare gratë dhe mbi të gjitha nënat gëzojnë respekt të madh.

Ekziston “shoferi i papërgjegjshëm nga Ballkani”, pastaj “maço i Ballkanit”. A ekziston një tip i veçantë i ballkanasit?

Aliu: Më indinjon kur shoh se të gjithë hidhen në një thes. Edhe nocioni “jugo” (për jugosllav, v.j.) përdoret për njollosje.Por, kroatët, serbët dhe shqiptarët kanë konflikte mes vete?

Ismaili: Pikësëpari ne e takojmë njëri-tjetrin si njerëz, etnia është dytësore.

Aliu: Neve na bashkon fakti se të gjithë jemi imigrantë në Zvicër.

Si qëndron puna me barazinë gjinore te shqiptarët?

Ismaili: Babai im ndihmon në punët e shtëpisë, gjinia nuk luan rol.

Aliu: Ne në shtëpi jemi katër gra. Më besoni: babai im nuk e ka lehtë.

Lusha: Unë kam qejf të gatuaj.

Shqiptarët vijnë nga shtresat konservatore rurale, ku gratë shtypen. Apo jo?

Aliu: Pa shkoni njëherë në Shkup, Prishtinë apo Tiranë. Është qesharake të thuhet se gratë shqiptare shtypen. Përkundrazi: ato janë të hapura dhe të sigurta në vete.

Domethënë nuk bartin burka apo të ngjashme?

Që të tre: Në hapësirën shqiptare nuk e dimë të ketë bartëse të burkas.

Po shanset e barabarta?

Lusha: Unë sa për vete nuk kam përjetuar diskriminim. Shokun tim më të mirë mësuesit nuk deshën ta lejojnë të shkojë në gjimnaz, sepse ai, siç thuhej, ishte i papërshtatshëm. Tani ai si 23-vjeçar është duke shkruar doktoratën në Universitetin në St. Gallen.

Aliu: Në gjimnaz kam pasur një profesoreshë të gjermanishtes, e cila në hartime mezi më jepte një katërshe. Kur e pata pyetur për arsyen, ajo thonte: a e lexojnë prindërit e tu gazetën «Neue Zürcher Zeitung»? Kjo ishte absurde. Më vonë kam pasur një profesoreshë tjetër të gjermanishtes – dhe kam marrë nota të shkëlqyeshme.

Ismaili: Unë kam qenë njëra nga të huajat e pakta në klasë që kanë arritur të regjistrohen në gjimnaz dhe jam e mendimit se me pak më shumë mbështetje shumë me tepër të të kishin arritur këtë.

Aliu: Në shkollën fillore kam qenë në një klasë me 80 për qind të huaj. Kam qenë e vetmja që arrita të regjistrohem në gjimnaz. Për çdo vit shkollor këtë e arrijnë më së shumti dy, pa përgatitje shtesë për gjimnaz fare. Për këtë arsye unë sot u jep kurse përgatitore fëmijëve të lagjes sime.

Sa i rëndësishëm është islami për ju?

Aliu: Në familjen time feja është pjesë e rëndësishme e përditshmërisë. Ne e praktikojmë islamin ashtu siç na përshtatet neve. Këtu hyn ballafaqimi me islamin, në mënyrë që të dimë dhe kuptojmë se për çka bëhet fjalë në këtë fe dhe natyrisht shënimi i festave fetare bashkë me familjen.

Ismaili: Feja është diçka personale. Nëse për mua është e përshtatshme, atëherë në rregull.

Lusha: Për mua feja është shumë e rëndësishme, jo për shkak të traditës, por për shkak të bindjes. Për shkak të zhvillimeve historike do të thosha se Shqipëria është më pak religjioze se sa për shembull Maqedonia apo Kosova, me ç’rast duhet diferencuar mes gjeneratës së parë dhe të dytë. Fakt është se brenda shoqërisë shqiptare nuk ziejnë konflikte fetare dhe shumëllojshmëria është gjithkund e pranishme.

A do të martoheshit me një zviceran, zvicerane?

Aliu: Partneri im është shqiptar, e kam takuar gjatë pushimeve. Babai më ka thënë se në këtë çështje nuk do të më përzihej, fundja është vendim imi se me kë dua ta kaloj jetën. Por, ai qartë më ka thënë se nëse dashurohem në një zviceran, në çështjet e edukimit dhe të fesë duhet t’ia dalë mbanë vetë.

Lusha: Për mua nacionaliteti është i parëndësishëm.

Si e shihni të ardhmen? A do të jetoni në Zvicër?

Ismaili: Nuk e di. Ne i njohim të dy perspektivat. Kjo është pasuri dhe përparësi e madhe në jetë.

Lusha: Unë gjithsesi do të qëndroj në Zvicër. Ne mund të mësojmë shumë nga italianët. Ata sot janë të integruar. Shpresoj se profesori italian do të ketë një koleg me origjinë shqiptare. Në Shkollën e Lartë Teknike, në Universitetin e Zürichut dhe në universitete të tjera ka shumë talente. Më së largëti në gjeneratën e tretë shqiptarët do të ecin përpara në karrierë.

Aliu: Nuk mund të them nëse do të qëndrojë këtu apo jo. Ajo që mund të them për të ardhmen është se ekziston një zhvendosje në arsim, e cila që tani ka nisur. Gjenerata e ardhshme do të ketë më shumë shanse dhe do t’i shfrytëzojë ato. Atëherë nuk do të flitet mbi ne, por për neve.

* Arbnora Aliu (24) studion pedagogji, Vjosa Ismaili (23) ekonomi, Burim Lusha (25) ekonomi dhe inxhinieri.

/Lajmi.net/