Paneli në hotel “Mediteran”: Shqiptarët e sukseshëm në SHBA

0

Me datën 18 korrik (e shtunë) në hotelin “Mediteran” do të organizohet paneli forumor “Albanian American Success Stories”, në të cilin pjesmarrës do të jenë shqiptarët që kanë arritur një sukses të konsiderueshëm në SHBA. I njëjti panel, një ditë më parë (17 korrik) do të mbahet edhe në Podgoricë.

“Albanian American Success Stories” shënon dhe promovon sukseset e komunitetit shqiptar në SHBA. Perveç disa emrave të njohur në mbarë botën, opinioni publik në vendet ku jetojnë shqiptarët nuk është i informuar sa duhet mbi historitë e suksesit të shumë shqiptarëve të tjerë, të cilët kaluan rrugë me gjemba për të përqafuar ëndrrën amerikane.

Nuk ka fushë jetësore ku shqiptarët në SHBA nuk kanë arritur sukses.  Falë nismës së znj. Vera Mjeku dhe mbështetjes së z. Fadil Berisha, historitë e suksesit të tyre përmblidhen dhe dokumentohen tani përmes librave dhe aktiviteteve të ndryshme promovuese në SHBA dhe në trojet tjera ku jetojnë shqiptarët.

“Albanian American Success Stories” shpalos vlerat e komunitetit shqiptaro-amerikan, frymëzon të rinjtë shqiptarë anembanë botës, por jo vetëm ata, nxit mundësi bashkëpunimi, inovacioni etj.

Histori suksesi shqiptaro-amerikane:
Dr. Shpresa Xhakli – mjekja që iu përkushtua autizmit, themeluese e Qendrës së parë për fëmijë me autizëm në Prishtinë dhe aktiviste në disa shoqata të tjera bamirëse.
Vera Mjeku – nismëtare dhe drejtoreshë ekzekutive e Projektit “Histori suksesi shqiptaro – amerikane”, eksperte në fushën e medias dhe komunikimit, ka zhvilluar fushata të marrëdhënieve me publikun për shumë kompani të njohura.
Etrita Ibroçi – nga Ulqini, drejtoreshë ekzekutive në kompaninë “Kepler Cheuvreux”, lidere në fushën e ndërmjetësimit të kapitalit, beson se këmbëngulja është çelësi i suksesit të saj në karrierë.
Nick Markola – nga Ulqini, drejtor i menaxhimit dhe i kërkimeve i bankës “Fieldpoint Private Bank& Trust” në shtetin Connneticut të SHBA-së, ka bërë një karrierë në Amerikë për t’ia pasur lakmi në fushën bankare, të investimeve dhe të financave.
Gazmend Gjonbalaj – një ekspert i shkëlqyer i teknologjisë, menaxher në Bloomberg LP, njërën prej kompanive më të mira në botë. Karriera e suksesshme në botën e koorporatave dhe suksesi financiar i ka mundësuar që t’i rikthehet veprimtarisë në dobi të komunitetit shqiptaro-amerikan.
I frymëzuar nga Bill Gates në vendlindjen e tij në Kosovë, Labinot Bytyçi është sot një lider në industrinë e teknologjisë së informacionit, themelues i dy kompanive të suksesshme në fushën e teknologjisë.
Adrian Shatku – një sipërmarrës i suksesshëm në fushën e telefonisë dhe internetit, një nga pionierët e telefonisë në internet, i cili që herët besoi në fuqinë e internetit për transformimin e botës.
Dr. Venera Bekteshi – profesoreshë në University of Illinois në Urbana-Champaign, njërin nga universitetet më të njohura në SHBA, suksesin e saj ia përkushton vlerave shqiptare, të cilat ajo vazhdon t’i mbajë në zemër.