Novoviq akuzon OT për diskriminim, Sarvan hedh poshtë akuzat

0

Banori i Ulqinit Rade Novoviq, ka akuzuar një punonjëse të Organizatës Turistike për diskriminim në baza kombësie, pasi ka refuzuar të komunikojë me të në gjuhën malazeze, shkruan “Dan”.

Sipas Novoviq, ai ka shkuar në një nga pikat e informacionit që OT ka në qytet për të paraqitur mysafirët, por punëtorja ka refuzuar të komunikojë me të në gjuhën malazeze duke i thënë se nëse dëshiron komunikim në atë gjuhë të shkojë në Cetinje.

Pyetjes se Novoviq se a ndodhen në Mal të Zi apo Shqipëri, punonjësja i është përgjegjur se ndodhen në Shqipëri.

Drejtoresha e OT-së Zana Sarvan, ka konfirmuar për këtë gazetë se është e njoftuar për incidentin por se thëniet e Novoviq nuk përputhen me të vërtetën.

Ajo tha se Novoviq ka provokuar punëtoren duke e pyetur se a e njeh gjuhën malazeze, dhe se a janë në Mal të Zi apo Shqipëri.

Sarvan thotë se punonjësit në pikat e informimit njohin jo vetëm gjuhën malazeze dhe shqipe, por edhe gjuhë të huaja.

Sipas saj, arsyeja e mllefit të Novoviq është se vajza e tij nuk është pranuar si punonjëse sezonale nga Organizata Turisitike.

Pyetjes për numrin e punëtorëve të punësuar në mënyrë sezonale Sarvan nuk i’u përgjigj dhe udhëzoi gazetarin që pyetjen ta dërgojë me email.

Kryetari i Këshillit Drejtues të OT-së, Xhemal Bushatliq, tha se ai personalisht nuk ka dijeni për numrin e të punësuarve gjatë sezonit, pasi kjo është në ingerencë të drejtoreshës.