Noel Malkolm rikthehet me libër për dy familje ulqinake – Agjentët e Perandorisë!

0
Vasari, Giorgio and assistants (16th cent.): Battle of Lepanto. Vatican, Sala Regia*** Permission for usage must be provided in writing from Scala. ***

Noel Malkolm, historiani dhe akademiku anglez, i njohur posaçërisht për librat historikë për Kosovën dhe Bosnjen, ka botuar sivjet një libër lidhur me historinë e Renesansës, duke zbuluar kufirin e harruar ku Lindja dhe Perëndimi u takuan – Ulqinin. Ai këtë e bën duke përcjellë jetën e dy familjeve shqiptare, Bruni dhe Bruti.

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XVI, shumica e shteteve të krishtera të Evropës Perëndimore kanë qenë në pozicion mbrojtjeje nga një superfuqi muslimane – Perandoria Osmane. Ka pasur konflikte të dhunshme, nga bastisjet te aktivitetet pirate e deri te luftimet në shkallë të gjerë. Por, ka pasur gjithashtu shumë forma të ndërveprimit paqësor përgjatë kufijve çuditërisht të brishtë të këtyre blloqeve kundërshtare të pushtetit. Libri “Agjentët e Perandorisë” përshkruan shtigjet e marra nëpër Mesdheun Lindor dhe rrethinat e saj evropiane nga anëtarët e dy familjeje shqiptare nga Ulqini, Bruni dhe Bruti, të gjithë pothuajse të padukshëm në histori më parë. Këto dy familje përfshijnë një kryepeshkop në Ballkan, kapitenin e një anijeje papale në Betejën e Lepantos, pushtetin pas fronit në provincën osmane të Moldavisë dhe një përkthyes pranë ambasadës se Venedikut në Stamboll. Nga rrënjët e tyre shqiptare, rrjetet e lidhjeve familjare dhe kontaktet shtriheshin në të gjitha drejtimet, duke i rënë kryq e tërthor barrierave të besimit dhe kombësisë.

Nëpërmjet historive jetësore të këtyre individëve aventurierë gjatë tre brezave, Noel Malkolm hedh dritë të re mbi botën në mes Venedikut, Romës dhe Perandorisë Osmane, duke ndriçuar subjekte të ndryshme si spiunazhi, diplomacia, tregtia e grurit, shitblerja e skllevërve dhe rebelimet anti-osmane. Ai përshkruan strategjitë kontradiktore të fuqive të krishtera dhe planet jashtëzakonisht ambicioze të sulltanëve dhe vezirëve të tyre.

Agjentët e Perandorisë konsiderohet kryevepër e botës akademike, e cila ndërton një pikturë panoramike të politikave të fuqive perëndimore, si dhe raportet në mes botës së krishterë dhe asaj osmane.