Nimanbegu: Rrënimi i Galebit ishte krim urban. Të gjenden përgjegjësit (video)

0

Deputeti Nimanbegu, në seancën e Kuvendit të Malit të Zi theksoi se rrënimi i hotelit Galeb ishte krim urban, dhe gjithë kjo çështje është një proces i ndërlikuar por shpreson se do të gjenden përgjegjësit e moskryerjes së obligimeve  në kuadër të kompetencave të veta, dhe do të vijë  deri te shkëputja e konratave me investitorët e papërgjegjshëm.

Nga Ministria e Turizmit i janë përgjigjur pyetjeve të Nimanbegut se  investitorët nuk janë duke iu përmbajtur kushteve të kontratave dhe se kanë filluar analizat për shkëputjen e tyre, duke theksuar se hoteli Galeb është privatizuar prej vitit 2006, por obligimet investuese nuk janë realizuar për shkak se fillimisht, Komuna e Ulqinit nuk i ka siguruar planet per realizimin e projektit të cilat pas 6 vitesh janë miratuar në Kuvend(ne fund të vitit 2012), por edhe kjo nuk kishte rezultat pasi  Rokshped nuk ka arritur te sigurojë mjetet financiare për të realizuar projektin në fjalë dhe se Ministria e turizmit ka filluar procedurën për shkëputjen e kësaj kontrate.

Sa i përket hotelit Lido, i cili poashtu është privatizuar në vitin 2006, sipas Ministrisë së turizmit, investitori nuk ka pasur mundësi të investimit për shkak të mungesës së planeve, por edhe për shkak se në atë zonë ka probleme të shumta ekologjike nga Port Milena, realizimi i kësaj kontrate është ende në fuqi.

Fati i njëjtë është edhe për kontratën për ndërtimin e një hoteli në lokacionin e ish hotelit Jadran, pra pritet të bëhet shkëputja e saj…Sipas ministrisë në fjalë, realizimi i të gjitha këtyre kontratave është penguar nga problemet e shumta ekologjike dhe planit hapsinor të cilin Komuna e Ulqinit me vite të tëra nuk ishte në gjendje ta përfundojë.