Nimanbegu dërgon letër proteste për fyerjet ndaj shqiptarëve

0

Gjykata e lartë në Podgoricë

Kryetarit, z. Boris Saviq

Ulqin,  9. 2. 2018

Nr. 523/18

 

Lënda: Protestë kundër lejimit të ofendimit të shqiptarëve në procesin gjyqësor

I nderuar kryetar,

Gjatë tërë procesit që po zhvillohet pranë Gjykatës së Lartë në Podgoricë, sipas Aktpadisë për tentim të grusht shtetit në Mal të Zi, më 16 tetor 2016, pjesëtarët e të gjitha palëve në proces: të akuzuarit, dëshmitarët, por edhe avokatët, madje edhe gjykatësja S. Mugosha i përdorin fjalët “shiptar, shiptarsko…”

Dua ta cek se këto fjalë për ne si shqiptarë janë ofenduese dhe nënçmuese, ndërsa gjykata me vet qenien dhe aktivitetet e veta do të duhej ta mbronte dinjitetin e të gjithëve dhe të mos lejojë përdorimin e fjalëve, që në çfarëdo mënyre do të ishin në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Malit të Zi.

Për këtë arsye kërkoj prej Jush, z. kryetar, që ta ndaloni përdorimin e këtyre fjalëve, sepse në atë mënyrë ofendohet një popull, që me këtë proces nuk ka asgjë të përbashkët.

Ju lutem që këtë letër proteste t’ia përcillni edhe gjykatëses në proces, zonjës Suzana Mugosha, që, jo vetëm se e lejon përdorimin e tyre, por të tilla edhe i dikton në procesverbal.

 

Me respekt,

Genci Nimanbegu

nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi,

deputet i koalicionit “Shqiptarët të vendosur”

kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi