Nikoliqi nuk shkon në Belgjikë, shkaku i simboleve shtetërore të Kosovës

0

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, nuk do të marrë pjesë në takimin që do të zhvillohet nesër (e martë) në Belgjikë, për nder të 100 vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore, për shkak se në këtë manifestim do të shpalosen simbolet shtetërore të Kosovës, njofton Tanjug.

“Ndonëse ishte planifikuar që Presidenti i Republikës të merrte pjesë në këtë takim dhe të nderonte ushtarët e vendeve fituerse të Luftës së Parë Botërore, Presidenti nuk do të udhëtojë në Belgjikë. Arsye për këtë është njoftimi i marrë nga organizatori se në këtë manifestim do të vendosen simbolet e Republikës së vetëshpallur të Kosovës”, ka kumtuar Shërbimi për Informim i Presidentit të Serbisë.

“Shfaqja e simboleve të Republikës së vetëshpallur të Kosovës është e papranueshmë për Serbinë, prandaj Presidenti nuk mund të marrë pjesë në ceremonitë e nesërme”, thuhet në kumtesën e kabinetit të Nikoliqit.

Në kumtesë kujtohet se Nikoliqi kishte marrë pjesë në shënimin e 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore, në Liezh, më 4 gusht, ku nuk ishin vendosur simbolet e shtetit të Kosovës.

Sipas kabinetit të Nikoliqit, “Kosova nuk kishte luajtur kurrfarë roli në Luftën e Parë Botërore, prandaj as nuk mund të renditet në mesin e fituesve të kësaj lufte dhe të trajtohet njësoj si Serbia”.