Nesër manifestimi “Ditët e Trashëgimisë Evropiane” dhe hapja solemne e Simpoziumit Ndërkombëtar për Kalanë

0

Në Mal të Zi, ashtu si edhe në 50 vende të tjera të Evropës, po shenohen Ditët e Trashëgimisë Evropiane. Mbi 50 000 manifestime nacionale e lokale, janë duke jehuar përgjatë Evropës, duke prezantuar thesarin kulturor, veshjet tradicionale, gastronominë, punimet prej dore, mënyrën e jetesës, muzikën, artin në përgjithësi dhe kështu duke zgjuar ndjesinë e vlerës së të qenit I LASHTË.

Për herë të parë, ky manifestim u lançua në Francë, më 1985, për t’u bërë më pas një manifestim i rëndësishëm në tërë Evropën.

Ministria e Kulturës e Malit të Zi në bashkëpunim me institucione lokale e nacionale të fushës së trashëgimisë kulturore dhe në bashkëpunim me Këshillin Evropian e  Komisionin Evropian, për të nëntin vit me radhë, bën shenimin e “Ditëve të Trashëgimisë Evropiane”.

Edhe në Ulqin, nesër, më 30.09.2016, do të mbahet manifestimi, i cili do jetë në përputhje me temën “Trashëgimia kulturore dhe komuniteti lokal”.

Fillimisht në ambientin e Muzeut të Ulqinit, me fillim në ora 17:00, do të hapet Simpoziumi Ndërkombëtar: “Qyteti i vjetër Kalaja e Ulqinit, ruajtja dhe konservimi i qëndrueshëm”, për të vazhduar më pas me konferencën në orën 19:30 dhe për të përmbyllur aktivitetin me prezantimin e trashëgimisë kulturore të Ulqinit: punimet tradicionale, veshjet e ushqimet tradicionale, eksponantet arkeologjike, njohjen me muzikën popullore…

Në simpozium do marrin pjesë mbi njëzet studiues, njohës të trashëgimisë kulturore, të cilët do vizitojnë Kalanë dhe do shprehin përfundimet e veta në lidhje me ruajtjen dhe konservimin e qëndrueshëm të saj. Simpoziumi do zgjasë deri të dielën.

Për këtë rast, përveç në Ulqin, në Mal të Zi janë bërë tubime të ndryshme edhe në Podgoricë, Cetinë, Tivar, Kotorr e Rozhajë.