Nënshkruhet marrëveshja për heqjen e tarifës për roming

0

Qeveritë e Malit të Zi, Serbisë, Bosnje Hercegovinës dhe Maqedonisë kanë nënshkruar sot në Budva Marrëveshjen për uljen e çmimeve për roming, sipas modelit të BE-së.

Dokumenti i nënshkruar parashikon heqjen graduale të tarifës për roming, duke filluar nga 1 janari 2015.

Shtetet nënshkruese janë përkushtuar që çmimet maksimale të romingut të jenë në nivel me ato në shtetet e BE-së. Qytetarët e BE-së, që nga 1 korriku i këtij viti kanë përgjysmuar çmimet e shërbimit roming dhe do ta heqin tërësisht deri në fund të vitit 2015. 

Në nënshkrimin e marrëveshjes në Budva nuk kanë qenë prezentë përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Turqisë, siç ishte planifikuar, sepse këto dy shtete ende nuk i kanë mbaruar procedurat e nevojshme. Megjithatë, marrëveshja mbetet e hapur dhe pritet që së shpejti t’i bashkohen edhe Shqipëria dhe Turqia. 

Në takim është rënë dakord që të përsëritet iniciativa ndaj BE-së që për qytetarët e rajonit tonë në BE të aplikohen çmime më të ulëta të shërbimit roming.