Ne, shqiptarët e Tivarit, po asimilohemi!

0

Ilirjan Koliqi

Skruan: Ilirjan Koliqi

 

Shqiptarët e Tivarit ndër vite janë përgjysmuar e përgjysmuar. Sot ata përbëjnë rreth 6 % të popullsisë së përgjithshme të këtij qyteti dhe banojnë kryesisht në pjesën e Krajës (zona e bregliqenit të Shkodrës që i takon Malit të Zi), ndërsa një pjesë fare e vogël jeton në pjesën urbane të qytetit. Përpos statistikave zyrtare, numri i shqiptarëve në këtë komunë nuk dihet saktësisht për shkak të manipulimeve gjatë regjistrimit, gjë që e vërteton fakti se numri i shqiptarëve me numrin e atyre që gjuhë amtarë kanë gjuhën shqipe nuk përputhet!

Pozita e tyre në aspektin politik është tejmase diskriminuese. Gjuha shqipe nuk lejohet të përdoret në administratën lokale edhe përpos konventave të shumta ndërkombëtare, që e sanksionojnë si të drejtë përdorimin e gjuhës prej pakicave kombëtare a etnike. Ndërsa në pjesën urbane të qytetit nuk ka asnjë shkolë në gjuhën shqipe dhe duke i privuar nga kjo e drejtë, banorët shqiptarë janë të ekspozuar ndaj asimilimit, proces i cili po vazhdon edhe sot e gjithë ditën.

Emigrimi i vazhdueshëm i popullatës dhe procesi i asimilimit, kanë rrezikuar seriozisht ekzistencën e komunitetit shqiptar. Partitë politike shqiptare kanë vetëm një përfaqësues në Asamblenë Komunale, gjë që ka ardhur edhe si pasojë e rrjedhjes së votave shqiptare në partitë malazeze. Ky fenomen ndodh sepse shoqëria është tejmase e politizuar  dhe votuesit votën e përdorin për shkaqe pragmatiste. Një fenomen i tillë po e zbeh influencën shqiptare në këtë komunë. Kraja, si zona e vetme e këtij qyteti më popullsi 100 % shqiptare, është lënë në neglizhencë të plotë nga pushteti. Mungesa e investimeve ka rezultuar më shpërngulje të vazhdueshme të popullatës. Në vazhdën e shumë projekteve që priten ndër vite, më jetikja për Krajën është hapja e pikës kufitare ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, që njihet gjegjësisht si pika kufitare e Skje-Zogajt. Ky projekt, i cili nuk ka ndonjë kosto të madhe financiare, meqë largësia nga Zogaj në Hutaj (Skje) në vijë ajrore s’është më tepër se një kilometër e gjysmë, pritet të hapë një dritare për daljen nga izolimi të kësaj zone. Përpos rikthimit të lidhjes shpirtërore dhe kulturore me Shkodrën, kjo pikë kufitare do të hapë mundësi të reja zhvillimore, do të valorizonte të gjithë potencialin ekonomik dhe kryesisht potencialin turistik.

Angazhimi i Shqipërisë në këtë projekt është jetik dhe ne shpresojmë që ndjeshmëria kombëtare të ndikojë në përshpejtimin e zbatimit të këtij projekti, i cili do t’ia rikthejë dinjitetin e humbur kësaj zone. Fenomeni më poshtërues që po u ndodh banorëve të Krajës, është padyshim rrethimi i saj me objekte fetare nga kisha ortodokse serbe, siç është edhe vendosja e të ashtuquajturës kishë në malin e Rumisë, si edhe zaptimi i ujdhesave në liqenin e Shkodrës, të cilat po zaptohen dita ditës dhe që vetëm karakter fetar nuk kanë. I gjithi ky proces po ndodh me bekimin e të njëjtit person që pati bekuar edhe Arkanin për luftërat e zhvilluara ne ish-Jugosllavi. Siç duket, jehona a masakrës së Tivarit po i ndjek edhe sot shqiptarët e këtij qyteti, të cilët seriozisht po rrezikohen nga asimilimi.