Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi ka mbi 1 milion ndërtime pa leje

0

Mbi 1 milion ndërtime pa leje numërohen në të katër shtetet e Ballkanit; Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal i Zi. Shifra është bërë publike sot në Tiranë në konferencën përmbyllëse rajonale “Informaliteti, zgjidhje dhe sfida”, ku përfaqësues nga të katër vendet u mblodhën për të diskutuar dhe për të ndarë mes tyre përvojat dhe eksperiencat më të mira në menaxhimin e procesit të legalizimeve.

Artan Lame, drejtor i Agjencisë së Legalizimeve në Shqipëri, tha se problemi më i madh dhe i përbashkët i këtyre vendeve, mbetet shifra e lartë e ndërtimeve pa leje, por edhe pronësia e këtyre objekteve sidomos në Shqipëri.
Ndërsa, përfaqësuesi nga Kosova, zv.drejtor i Departamentit të Planifikimit Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, Agim Radoniqi tha se krahas 140 mijë ndërtimeve pa leje të evidentuara deri më tani, ka edhe të tjera që pritet t’i shtohen listës, pasi për momentin procesi i legalizimit në Kosovë është në fazën e regjistrimeve.
Problemi më shqetësues sipas Radoniqit në Kosovë janë ndërtimet në tokat bujqësore. Ai foli edhe për tarifën që duhet të paguajnë qytetarët e Kosovës për të legalizuar banesat e tyre, ndërsa tha se ajo do të jetë minimale diku te 3 euro, megjithatë ndryshon sipas komunave.
Maqedonia ka ecur më mirë se vendet e tjera me procesin e legalizimeve, ndërkohë që sipas përfaqësuesit Jakup Fetai, procesi pritet të mbyllet shumë shpejt. Sipas parashikimeve për afro një vit do të përfundojë 60 % e procesit të legalizimit.
Ndërkohë e njëjta situatë problematike me ndërtimet informale evidentohet edhe në Mal të Zi, ku krahas numrit të madh të tyre mbeten problem edhe ndërtimet pa leje në bregdet apo në zona të tjera turistike.

/www.lajmi.net/