Në Qendrën për Kulturë u festua dita e 7 Marsit

0

Sonte me fillim në ora 19.00, nën organizimin e Këshilit Kombëtar të Shqiptarëve, u festua 7 Marsi, dita e mësuesit.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari i këtij këshilli Genci Nimanbegu, falenderoi të pranishmit për pjesmarrjen, sidomos ata që gjithë jetën e tyre ia kanë kushtuar profesionit të shenjtë të mësimdhënies. Duke rikujtuar mësonjtoren e parë shqipe të hapur në Korçë në vitin 1887, Nimanbegu tha se tani më shumë se kurrë duhet frymëzohemi nga vepra e mësuesve si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, motrat Qirjazi e të tjerë, në mënyrë që të parandalojmë degradimin e mëtejshëm të arsimit në gjuhën shqipe.

Pas tij fjalën e mori sekretari i komisionit për arsim pranë Këshillit kombëtar Ismet Kallaba, i cili potencoi nevojën e përmirsimit të cilësisë së arsimimit në gjuhën shqipe, si nga ana materiale ashtu edhe nga ajo njerzore.

Për të pranishmit pati edhe një program, ku nxënësit shpalosen talentet e tyre recitale me poezi kushtuar kësaj feste, si dhe dy pika muzikore nga violinisti shkodran Anton Kaftjalli dhe kantautori vendas Cani Lazoja.

Kulmi i mbrëmjes padyshim ishte performansi recital i aktorit të madh shqiptar, artistit të popullit Reshat Arbana, që me poezitë e poetëve të mëdhenj shqiptarë, ngriti në këmbë të gjithë të pranishmit.

Në fund të mbrëmjes, në shenjë mirënjohje për punën e tyre të palodhur, mësuesve veteranë iu shpërndane dhurata modeste.