Ne Ankara formohet Grupi Letrar

0
Keni isht djale i mire

Dëshira e madhe për poezinë shqipe bëri që studentët shqiptarë në Turqi gjegjësisht në Ankara më datë 10 dhjetor 2014 të  zyrtarizonin formimin e Grupit Letrar “Votra”. Grupi i posaformuar “Votra” është pjellë e ideve të gjashtë studentëve Olta Murataj, Irena Përmeti, Arbnor Murati, Marseda Petraj, Liridon Bllaca dhe Avni Pantina. Organizimi i mbrëmjes së parë letrare jozyrtare u zhvillua më datë 25 tetor të këtij viti. Në këtë Mbrëmje Letrare u lexuan poezi të shkrimtarëve të trevave shqiptare. Ndër shkrimtarët e lexuar ishte dhe Hajredin Kovaçi me poezinë “Masakra e Tivarit” , kjo e fundit e lexuar me mjeshtëri nga studenti jonë në Ankara Arbnor Murati. Duke parë pëlqimin e madh që pati nga dashamirësit e poezisë shqipe jo vetëm brenda kufijve të Turqisë por edhe më gjerë vendosën të bëhen grup formal, duke u bërë kështu përfaqësues unikë të poezisë shqipe në Republikën Turke.

Përse Votra?
Votra në mitologjinë shqiptare është paraqitur si një nga hyjnitë më të lashta të mitologjisë. Mendohet se ajo bart disa tipare të zvetënuara të një hyjnie shumë të lashtë të vatrës, me origjinë nga matriarkati. Përveç kësaj votra ka pasur një rëndësi të veçantë në familjet shqiptare; rreth votrës është mbledhur familja, pranë votrës është pritur miku. E duke mbartur këtë simbolikë, qëllimi i tyre i vetëm është mbledhja me studentët shqiptarë rreth “Votrës” dhe përçimi i poezisë shqipe.

Në Mbërmjen poetike që u zhvillua me datë 10 dhjetor 2014  ishte i ftuar shkrimtari nga Kosova Ibrahim Kadriu, të cilit i numërohen mbi gjashtëdhjetë  botime, disa të  përkthyer në gjuhë botërore ndër to dhe në gjuhën turke. Gjatë  kësaj Mbrëmje Letrare poezitë e shkrimtarit Kadriu u lexuan nga pjesëtarët e grupit “Votra” ndërsa shkrimtari bënte komente rreth tyre, duke treguar momentin kur i ka shkruar, gjendjen emocionale dhe duke ndarë me ta kujtime dhe histori që lidheshin me poezitë.

Për çdo të interesuar , Grupin Letrar “Votra” tani mund ta gjeni edhe me një faqe të tyren në Facebook me të njëjtin emër.