Ndeshja e parë e kombëtares, e gjitha kuqezi

0

Në qytetin Lens të Francës u luajt ndeshja e parë e kombëtares, ku vendimtar ishte minuti i pestë i ndeshjes. Portieri i kombëtares Berisha vlerësoi gabimisht gjuajtjen e Shaqirit, gjë që në moment e shfrytëzoi Fabijan Shar ku me gjuajtje me kry shënoi golin vendimtar kundrejt kombëtares shqiptare.

Sidoqoftë, vazhdimi i ndeshjes pas këtij momenti tregoi se kombëtarja shqiptare është e denjë për Kupën Evropiane, dhe se nuk duhet nënvlerësuar.

Prania e madhe e tifozerisë shqiptare, flamuri gjigand kuqezi, dhe tipar tjetër majft interesant i kësaj ndeshjeje, prania e shqiptarëve në të dyjat përfaqësuese, ku përfaqësuesja e Zvicrës në përbërjen e vet numëron pesë shqiptarë: Blerim Xhemajlin, Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Admir Mehmedi dhe Granit Xhaka, ku ky i fundit shpeshherë në dribling përballej drejtëpërdrejtë me vëllain e vet –Taulantin, kësaj ndeshje i jep një tintë Kuq e Zi, pa marrë parasysh këndvështrimin. Këtë dëshmon e ëma e këtyre dy lojtarëve, e cila kishte veshur bluzë me mbishkrim “Xhaka”, ku në gjysmën e bluzës shfaqet flamuri zviceran, kurse në tjetrën ai shqiptar.

Kombëtarja pësoi humbje nga përfaqësuesja e Zvicrës me rezultat 0:1, por që nuk i ndali brohoritjet e tifozëve shqiptarë të cilët në numër të madh erdhën nga të gjitha skajet e botës.

Po kuqezi do jetë edhe qyteti jonë, së paku në muajin në vijim. Në vazhdën e ngjarjeve të hidhura të fundit – ate të fjalorit të Akademisë Malazeze si dhe aktakuzës së ngritur ndaj pronarit të kafenesë “Shisha Bar”, befasi pozitive paraqet vendosja e mega-projektorit me një numër të madh të ulësëve të pozicionuar në Molin e madh, mu nën Kalanë krenare ulqinake, ku do u mundësohet të gjithë tifozëve kuqezi të mblidhen në një vend dhe të përcjellin ndeshjet e Kupës Evropiane 2016, posaçërisht ndeshjet e kombëtares.

Optimizmi mbetet, kemi edhe shumë lojë përpara, ku shpresojmë që kombëtarja para së gjithash të tregojë dinjitet të lartë dhe gatishmëri të përballet me të gjitha vështirësitë që has në betejë për Kupën Evropiane, dhe në fund të themi “Erdhëm, pamë, fituam!”