NBA: Spurs përsëri pushtojnë Los Angeles

0

Mbrëme u luajtën dy ndeshje ndërmjet katër skuadrave të cilësuara si kampion të mundshëm.

Clippers pritën miqtë nga San Antonio me qëllim që kësaj rradhe të dominojnë në fushën e vet, por Spurs edhe njëherë treguan se jo më kot janë kampion në fuqi.

Të dyja skuadrat patën mjaft lojtarë të saktë, por dallimin e bëri stoli i rezervave ku tradicionalisht San Antonio qëndron shumë fortë. Aty u dalluan Ginobili me 14, Mills me 13 dhe Diaw me 10 pikë. Nga pesëshja e parë Duncan shënoi 21 pikë dhe 11 kërcime kurse Leonard 18 pikë.

Për Clippers më të mirët ishin Griffin me 30 pikë dhe 14 kërcime, DeAndre Jordan me 21 e 14 kërcime dhe Chris Paul me 19 pikë dhe 10 asist. Por mungoj ndihma nga pankina, e sidomos e Jamal Crowford i cili pati një natë të keqe me 8 pikë dhe saktësi katastrofale prej vetëm 27%.

Ndeshja ishte e barabartë deri në periudhën e fundit kur Spurs kaluan në epërsi prej 11 pikësh, por Clippers arritën të kthehen në lojë duke ngushtuar differencën në vetëm 2 pikë 1 minutë para përfundimit. Atëherë doli në skenë Duncan i cili bllokoi Griffin në tentativë për të barazuar rezultatin. Ky i fundit gaboi edhe të dyja gjuajtjet e lira duke i dhënë fund shpresave për Clippers.

Në derbin e Teksasit Huston tregoi se këtë sezon është skuadër më e mirë. Atë fituan edhe ndeshjen e pestë ndaj Dallas duke përfunduar serinë 4-1.

Përvec në fillim të ndeshjes, Mavericks nuk arritën të kalojnë në avantazh as edhe njëherë të vetme duke dëshmuar se Rockets janë një kafshatë tepër e madhe për to. Në fillim të serisë u cilësua se Dallas mund të ishte surpriza e Konferencës së Perëndimit, por problemet me Rajon Rondo dhe dëmtimet morën hakun e vet.

Për Huston i zakonshmi Harden shënoi 28 pikë, Smith 20 kurse Howard 18 pikë dhe 19 kërcime.

Ellis dhe Nowitzki ishin më të mirët për Dallas me 25 dhe 22 pikë.

 

 

Rezultatet e ndeshjeve:

 

Los Angeles Clippers   –   San Antonio Spurs        107 – 111 (2-3)

Huston Rockets   –   Dallas Mavericks                     103 – 94 (4-1)