NASA zbulon një planet të ngjashëm me Tokën

0

NASA u dha fund spekulimeve dhe konfirmoi atë që përflitej më shumë këto orë; gjetjen e një planeti tmerrësisht të ngjashëm me Tokën.

Zbulimi i bërë nga teleskopi Kepler u publikua pasditen e së enjtes nga agjencia amerikane e hapësirës.

Planeti i ri është pagëzuar me emrin Kepler 452B. Ai është rreth 60 për qind më i madh se planeti ynë dhe ky është ndryshimi kryesor. Sa për të tjerat, Kepler 452B kryen një orbitë të plotë rreth yllit të tij për 385 ditë, 20 ditë më shumë nga sa i duhet Tokës për të njëjtin veprim.

Planeti i ri ndodhet në atë që shkencëtarët e quajnë zona e jetës, e thënë më thjeshtë, që një planet të mund të mbajë jetën duhet të rrotullohet rreth yllit të vet në një distancë të caktuar, as larg dhe as afër tij.

Kepler 452B plotëson të gjitha kushtet për të qenë një planet që strehon jetën. Sipas shkencëtarëve të NASA-s, ai përmban ujë, ndonëse më pak sesa planeti ynë, por mjaftueshëm për të vazhduar, sipas përllogaritjeve edhe 500 milion vjet të tjera.

Kepler 452B ndodhet në yjësinë Cygnus, 1400 vite dritë larg. Ylli i tij është 6 miliardë vjeç, 1.5 miliardë më shumë sesa Dielli ynë.

Teleskopi Kepler është hedhur në orbitën e Tokës në vitin 2009. Që nga dita e parë e punës së tij e deri më tani ka zbuluar rreth 4 mijë ekzoplanete (planete jashtë sistemit tonë diellor), që ndodhen në zonën e jetës.