Ministria e jashtme e Malit te Zi i kërkon llogari Edi Ramës

0

Ministria për punë të jashtme dhe integrime europiane e Malit të Zi i ka kërkuar ambasadës së saj në Tiranë që të kërkojë informacione lidhur me shfaqjen e hartës së Shqipërisë natyrore në kryeministrinë e këtij vendi, shkruan gazeta “Dan”.

“Ministria e punëve të jashtme dhe integrimeve europiane i ka dhënë instruksione ambasadës në Tiranë që të kërkojë informata shtesë tek organet përkatëse të Republikës së Shqipërisë në lidhje me këtë çështje”, kanë sqaruar nga MPJIE (MVPEI).

Paradoksal është fakti se ambasador i Malit te Zi në Shqiperi është Ferhat Dinosha, dikur deputet në parlament dhe kryetarë i UDSH-së, i cili deklarohej si mbrojtës i interesave shqiptare, kurse tani në pozitën e mbrojtësit të interesave malazeze.

Siç ka njoftuar portali ynë, të shtunën në rezidencën e kryeministrit Edi Rama, është shfaqur harta e Shqipërisë natyrore, e njëjtë si ajo në dronin e lëshuar në ndeshjen Serbi-Shqipëri.

Për të njëjtën çështje, ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka njoftuar se ambasada e Serbisë ne Tiranë i ka derguar demarsh qeverisë së Shqipërisë.