Mediat, këto mercenarë të politikës

0

Shkruan: Flutur Mustafa

Kur hapje portalet, facebook-un, televizorin para dy viteve, Ulqini personifikohej me mjerim, zymtësi dhe shkatërrim. E kështu me artikuj përçmues për X pushtetin në fuqi, çdo ditë për dy vite me radhë. Për çdo gropë në rrugë, një artikull me vete, interpretim dhe aktrim para kamere e tastiere kompjuteri. Pastaj ndodhi  mrekullia apo siç thonë në Ulqin ”u çel havaja”.
Brenda disa muajve, pas ardhjes se z.Y në krye të qytetit, ndërroi kështu edhe artikulimi i lajmeve, interpretimet, gropat u mbushen dhe Ulqini filloi te personifikohej me qytetin e përkryer, pa asnjë të metë. Na pushuan veshët nga ankesat dhe ishte kënaqësi më vete të dëgjoje dhe lexoje se si Ulqini është një qytet i përkryer.
Kur shoh situatën në Ulqin më vjen ndërmend këngëtari Jim Morrison me thënien e tij “Kush kontrollon mediat, kontrollon mendjen”. Dhe jo vetëm ne Ulqin. Po kudo ne rajon, sheh taborë mediatik të X dhe Y.
Ky artikull sa për të qenë të qartë me lexuesit, nuk ka të bëjë me fushatën që po zhvillohet dhe me asnjë parti politike konkretisht dhe nuk i shërben asnjë X apo Y. Thjeshtë është një këndvështrim i një qytetari që brengoset për gjendjen reale të qytetit. Ky artikull nuk ka të bëjë fare me politikën sa ka të bëjë me mercenarët e politikës.
Jemi në një situatë ku, nuk e dimë a duhet t’iu zëmë besë syve tanë apo atyre qe shkruajnë dhe përcjellin lajme tek masa. Tek mënyra se si i përcjellin, tek toni i zërit, e së fundmi edhe tek mënyra se si masa i interpreton. Mediat zënë një vend të veçantë në promovimin e së mirës por edhe së keqes. Këtu varet se kush nga X apo Y mban një karrige të caktuar dhe ka më tepër pushtet. Gazetarët janë ata qe kanë me se pakti faj dhe gisht ne këtë cirk gazetaresk. Pse ? E thjeshtë. Në një kohë ku është e vështirë të mbyllesh muajin me ato të ardhura minimale qe shpërblehen për çdo muaj, imagjinojeni se sa e vështirë do ishte mbijetesa edhe pa ato te ardhura. Nga njëra anë, nuk iu ve faj. Por lexuesi dhe dëgjuesi ka të drejtë të lexojë dhe të dëgjojë të vërtetën lakuriqe, dhe jo lajlet e lulet sa të njërit apo të tjetrit pushtet. Media luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e një qyteti sa edhe një investim i mirë. Mobilizimi i masës gjithmonë fillon nga një ekran televizori, fletë gazete apo rrjetë sociale.
Kur mediat nuk paraqesin realitetin që qytetaret shohin çdo ditë, atëherë vjen edhe deri te bojkotimi i tyre dhe me shumë të drejtë.
Si quhet fenomeni mediatik që ndërron kahjen e lajmeve sa herë ndërrohen pushtetet ? – Dyfytyrësi !
E fenomeni i mbajtjes se njërit krah në veçanti ? – Pafytyrësi !
Qëllimi kryesor e parësor i medieve është informimi, e disa janë mësueset më të mira, se si duhet t’i fyesh kosit kur të djeg qumështi.
Nëse po shkojmë drejt asimilimit si shqiptarë në Mal te Zi, fajtori kryesor është klasa politike, e menjëherë pas tyre, portalet e televizionet e korruptuara. Qëllimi është i qartë. Dora e zezë e dishepujve te përbetuar të politikes, luajnë me gazetarët dhe i kontrollojnë këta të fundit siç kontrollohet një marionetë.
Iu kërkoj thellësisht ndjesë, të diplomuarve në këtë degë, ata nuk lejojnë te manipulohen lehtë dhe të nëpërkëmbet etika e tyre prej gazetari/gazetareje. Ka edhe të atillë që nuk kanë kryer shkollë përkatëse mirëpo etiken e së drejtës, të mirës dhe së keqes, ndarjen e shapit prej sheqerit e kane nga familja, ndjesë edhe ndaj jush.

Mirëpo të qenit profesionist në punën tënde nuk të bën një diplomë përkatëse, por momenti kur lajmet që plason qoftë ne portale apo në tv janë të vërtetuara dhe shpreh burimin e tyre. Për masën që dëgjon lexon dhe sheh të tilla shpifje, nga njerëz qe ia mbajnë vetes lart e rrahin gjoks për aftësi e profesionalizëm, secili nga ne ka të drejtë të dyshojnë në njëanësinë e mediumit përkatës.

Tanimë nuk të duhet ndonjë aftësi e madhe as gjuhësore e as gazetareske për të hapur portal, thjeshte një kapital minimal dhe aftësi në IT, fatkeqësisht.

Sa merren me punë boshe dhe pa kurrfarë rëndësie (portale, tv & gazeta) merruni me gazetari hulumtuese. Gjendja e rehatisë nuk është e mirë. Butaket njihen për rehatinë e tyre, por më duket se ju jeni qenie njerëzore. Me gazetari hulumtuese mund të luftohen fenomenet ne shoqëri, e jo me artikuj të pa-vërtetuar, me shpifje e fjalë të pabazuara.

Kapitalizmi është një sistem i vështirë kur vjen fjala për te mbijetesa. Nëse e ndërlidhim median me politikën ekonomike sipas Adam Smith “dora e padukshme” është ekonomia e decentralizuar në një shoqëri të tregut të lirë, kurse media mund të ishte ‘e drejta e fjalës dhe e lirisë së shprehjes me decentralizim nga e vërteta’!

/Gazeta e Re/