Maqedoni, rrëzimi i avionit, identifikohen viktimat, mes tyre edhe kosovarë

0

Visar Degaj, biznesmen me origjinë nga Malisheva sëbashku me disa biznesmenë italianë janë viktimat e aksidentit ajror të regjistruar një ditë më parë në Maqedoni. Ata kishin planifikuar të hapnin Qendrën Aeronautike të Kosovës. Në mesin e viktimave është piloti Francesco Montagner, president i Shoqatës Sportive amatore të Aeroklub Trevizos, zv/presidenti i Aeroklubit Dario Bastasin, Luca Dalle Mulle, Angelo Callegari, Ilaria Berti dhe Visar Degaj, një kosovar me shtetësi italiane. Viktimat jetonin në provincat e Trevizos, Padova dhe Udine.
Avioni Piper Pa 34 – 200 T, Seneca, dy motorësh u nis dje nga Trevizo drejt Prishtinës, por u rrëzua në Veles të Maqedonisë para një ndalese teknike.
Mësohet se grupi kishte planifikuar një udhëtim biznesi, lidhur edhe me veprimtarinë Aeroklub Trevizos. Nga pista e këtij të fundit, ishin nisur katër fluturime: dy për Prishtinë dhe dy të tjerë për Shkup.
Të gjithë arritën në destinacionin e tyre, përveç atij të udhëhequr nga Presidenti i Aeroklubit.
Sipas Komitetit Special maqedonas që merret me hetimin e aksidenteve të avionëve, Piper dhe dy avionë të tjerë të ngjashëm u drejtuan për në Prishtinë për të marrë pjesë në inaugurimin e një klubi të Aeronautikës
Avioni Piper i regjistruar në Gjermani, është ngritur nga pista e Aeroklub Trevizo në orën 14:00 dhe është zhdukur nga kontrolli i radarëve të aeroportit të Shkupit rreth në orës 17: 40, menjëherë pasi njoftoi drejtuesit e aeroportit se do të ulej për t’u furnizuar me kerozinë.
Disa nga banorët e fshatrave pranë Veles, një qytet në Maqedoninë qendrore në jug të Shkupit, thanë se dëgjuan një shpërthim dhe panë flake dhe re tymi.
Disa prej tyre, kanë pohuar se kanë pare avionin Piper të digjet para se të rrëzohej në tokë.
Ende nuk dihen shkaqet e këtij aksidenti por vlen të theksohet se kushtet e motit në Maqedoni ishin të këqija, me reshje të mëdha shiu, erë dhe mjegull.
Hetuesit gjyqësor thuhet se kanë gjetur mbetje të trupave të cilët pritet të dërgohen në Institutin e mjekësisë ligjore në Shkup.
Prokuroria publike në Maqedoni, në një njoftim për media, ka bërë të ditur nisjen e hetimeve për zbardhjen e tragjedisë ajrore që ndodhi në afërsi të Shkupit.