Maqedoni, qeveri teknike, zgjedhjet me 11 dhjetor

0

Në Maqedoni pritet formimi i qeverisë teknike pas marrëveshjes së arritur mbrëmë që zgjedhjet e parakohshme të zhvillohen më 11 dhjetor. Dy herë gjatë këtij viti zgjedhjet e parakohshme nuk arritën të zhvillohen në datat për të cilat ishte rënë dakort më parë. Komuniteti ndërkombëtar u bëri thirrje partive që zgjedhjet e 11 dhjetorit të jenë të besueshme.
Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe Johannes Hahn përmes një komunikate të përbashkët u bëjnë thirrje të gjitha partive politike që ta respektojnë procesin zgjedhor, që t’u mundësojnë qytetarëve të zgjedhin lirshëm, ndërsa pas zgjedhjeve të formojnë qeverinë e cila do të merrej me reforma thelbësore dhe që do të punonte në interes të të gjithë qytetarëve.
Edhe ambasadori amerikan Jess Baily, i cili që nga fillimi i këtyre bisedimeve para më shumë se një viti ka qenë ndërmjetës për arritjen e një zgjidhjeje, thekson se është me rëndësi të jashtëzakonshme që partitë, mjetet e informimit dhe vetë qytetarët të bashkëveprojnë në lidhje me përparimin e vendit.
Ndërkohë, edhe katër drejtuesit politik presin një proces të drejtë, ndonëse midis Nikolla Gruevskit dhe Zoran Zaevit vazhdon të mbizotërojë mosbesimi.
Ndërkohë, në këtë kuadër, pritet të bëhen ndryshime në qeveri, përkatësisht Lidhjes Social Demokrate të opozitës t’i jepen dy poste ministrash, ai i Punëve të brendshme dhe i Çështjeve sociale si dhe tre vende zëvendës-minstrash në atë që do të njihet si qeveri teknike. Nga ana tjetër ministri aktual i Punëve të brendshme Mitko Çavkov ka dhënë dorëheqjen dhe në vend të tij është propozuar Oliver Andonov, kuadër i VMRO-së, i cili do ta ushtrojë këtë detyrë vetëm deri të premten (2 shtator), kur pritet të miratohet qeveria teknike.