Maqedoni: BDI ndez motorët për zgjedhjet e ardhshme

0

Bashkimi Demokratik për Integrim organizoi sot në Shkup një takim promovues  me pjesëmarrjen e mbi 1000 anëtarëve të shtabit qendror dhe shtabeve komunale zgjedhore. Kjo strukturë masive është formuar rishtazi për të përgatitur fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të prillit 2016.

Takimin e hapi kryetari i BDI-së Ali Ahmeti duke dorëzuar në mënyrë solemne vendimin për mandatimin e z. Bekim Neziri si shef i shtabit qendror  si dhe listën me gjashtë parimet që do të karakterizojnë fushatën e ardhshme të strukturave partiake.

Shefi i shtabit qendror zgjedhor, z. Neziri, mbajti një fjalim për të prezantuar objektivat e fushatës dhe gjashtë parimet e porositura prej kryetarit Ahmeti. Ai u shpreh i bindur se duke punuar me përkushtim, entuziazëm e të bashkuar Bashkimi Demokratik për Integrim do të ecte me hapa të sigurtë drejt fitores së radhës.

Më tutje fjalën e morën përfaqësuesit e nëntë departamenteve të ndryshme që përbëjnë shtabin qendror të cilët qëllimet e tyre dhe përshkruan strukturën e tyre organizative  më të cilën synonin t’i realizonin ato. Në vijim u prezantuan një e nga një shefat e shtabeve komunal të ardhur nga të katër anët e vendit të cilëve Z. Neziri u dorëzoi edhe dokumentin mandatues si dhe gjashtë parimet e fushatës.

Aktivitetin e mbylli kryetari Ahmeti i cili përgëzoi punën e bërë për formimin e shtabeve zgjedhore duke nxjerrë në pah jo vetëm masivitetin dhe gjithëpërfshirjen në këto shtabe por edhe nivelin e lartë e professional të organizimit të aktivitetit. Ai vuri në dukje se prania e fytyrave të shumta të reja dhe entuziazmi i këtij aktiviteti ishin dëshmi e vitalitetit të BDI-së e cila i kishte bërë ball me sukses vështirësive të kohëve të fundit dhe kishte dalë prej tyre edhe më e fortë se më parë.

Në fjalën e vetë z. Ahmeti u ndal edhe tek situata aktuale politike e Maqedonisë duke thënë se kriza aktuale duhet parë edhe si një mundësi për të ardhmen. Sipas tij “Kjo situatë mund të shërbejë si një moment kthese për këtë shtet  duke përmirësuar konjukturën e brendshme politike të këtij vendi në mënyrë  që të zhbllokohen proceset e rëndësishme të integrimit euro-atlantik të Maqedonisë.

Ahmeti e mbylli fjalimin e tij duke udhëzuar anëtarët e shtabit që të realizonin sa më shpejt hapin e formimit të shtabeve në nivel të qendrave të votimit duke mobilizuar 15 000 aktivistë të partisë si dhe duke iu uruar shtabit punë të mbarë dhe suksese në fushtën e ardhshëm.

 

Maqedoni2