Mali i Zi dhe Turqia forcojnë lidhjet ushtarake

0

Zyrtarët dhe ekspertët thanë se një marrëveshje e re ushtarake pesë-vjeçare midis Malit të Zi dhe Turqisë do të përfshijë trajnim të përbashkët të trupave dhe do të jetë e rëndësishme për ushtrinë e Malit të Zi dhe ofertën e vendit për në NATO.

Turqia është anëtar për një kohë të gjatë i NATO-s dhe ka kapacitete të përparuara në fushën e edukimit dhe trajnimit ushtarak, që e bën atë një partner ideal për vendet e Ballkanit.

“Ne kemi tani kushtet për të edukuar dhe trajnuar pjesëtarët e forcave të armatosura të Malit të Zi në akademitë ushtarake turke, terrenet trajnuese dhe qendrat e trajnimit,” tha Sanela Gjozgiç, zëdhënëse e ministrisë së mbrojtjes të Malit të Zi.

“Kjo përfshin pjesëmarrjen në stërvitje, dërgimin e vëzhguesve në stërvitje, sistemet logjistike, mjekësinë dhe shëndetësinë ushtarake, komunikimet, sistemet elektronike dhe të informacionit, operacionet jo-luftarake të tilla si paqeruajtja, asistenca humanitare dhe operacionet për të luftuar piraterinë, shkëmbimin e informacionit në sistemet e drejtësisë ushtarake, hartografinë, hidrografinë dhe gjeografinë ushtarake,” shtoi ajo.

Marrëveshja, e cila u nënshkrua në 16 tetor, fokusohet gjithashtu në trajnimin ushtarak nëpërmjet edukimit në shkollat ushtarake sekondare dhe akademitë, si dhe zhvillimin profesional dhe shkëmbimin e ekspertëve.

Ushtria e Malit të Zi ka më pak se 2.000 trupa, por vendi ka kushte klimaterike dhe gjeografike që e bëjnë atë të përshtatëshme për stërvitjet trajnuese ushtarake në ajër, det dhe tokë. Ekspertët e sigurisë thanë se këto marrëdhënie midis Malit të Zi dhe Turqisë do të përmirësohen ndjeshëm nga marrëveshja.

”Vendi ynë do të ketë privilegjin të ketë anëtarë të ushtrisë sonë të trajnuar në Turqi,” tha Aleksandar Dedoviç, drejtor ekzekutiv i Qendrës Alfa, një OJQ në Nikshiq, fokusuar në çështje të sigurisë. “Kjo është veçanërisht e rëndësishme, sepse Turqia ka investuar përpjekje të rëndësishme për të modernizuar ushtrinë e vet dhe është konsideruar një nga kontributorët më seriozë dhe më numerikë në NATO. Ne presim të forcojmë ndëroperueshmërinë e partneritetit në misionet e ardhëshme të NATO-s.”

Çan Kasapoglu, një analist sigurie në grupin institucional kërkimor me bazë në Stamboll, Qendra për Studime të Jashtme Politike dhe Ekonomike, tha se politika e jashtme turke i vë rëndësi Ballkanit për shkak të trashëgimisë otomane dhe shqetësimeve gjeopolitike bashkëkohore.

“Çështje e rëndësishme është objektivi i Malit të Zi për t’u bërë anëtar i NATO-s. Duke pasur shansin e bashkëpunimit ushtarak me një nga forcat e armatosura më të mëdha dhe më aktive të NATO-s, forcat e armatosura të Malit të Zi do të jenë një hap më pranë anëtarësimit të plotë,” tha ai.

Anëtare e NATO-s që nga 1952, Turqia është gjithashtu një nga vendet më të fuqishme anëtare në aleancë. Ajo ka një forcë aktive ushtarake prej 623.000 trupash, pothuajse e njëjta sa popullsia totale e Malit të Zi.