Mali i Zi pas nëntë viteve pavarsi: Ku ndodhet Ulqini?

1

Mali i Zi këto ditë festoi nëntë vjetorin e pavarsisë, dhe si ndodh zakonisht, ato në pushtet i thurin lavde arritjeve kurse të tjerët tregojnë me gisht problemet.

Përsa i përket Ulqinit, me gjithë mundimin e madh që pushtetarët marrin për të përmirësuar  imazhin e qeverisjes së vet, më mirë ta mbajnë gojën mbyllur. Këtu jo 9 vjet, por ka më shumë se 19 vjet që cdo gjë shkon si mos më keq.

Të gjitha ato që dikur kanë qenë simbol i Ulqinit, por edhe Malit të Zi në përgjithësi, sot nuk ekzistojnë.

Dikur Ulqini ishte pararojë e turizmit të këtij shteti, bile edhe në vitet ’90, sot pas pavarsisë, Ulqini ndodhet në margjinë.

Dikur Ulqini kishte hotelet për të cilët secili qytet bregdetar në Mal të Zi ia kishte zili. Sot, përvec Otrantit, tjerët janë në gjendje të mjerueshme, Galebi është rrafshuar, kurse të rinj nuk ndërtohen.

Dikur Ulqini kishte Kriporen, e cila punësonte 10% të fuqisë punëtore të qytetit. Sot, jo që Kriporja nuk prodhon kripë, por duhet ndikimi i të huajve që “patriotët” vendas të mos shkatërrojnë edhe ekosistemin.

Dikur Ulqini ishte qytet ku njerëzit e kishin ëndërr të jetonin. Sot është qytet nga i cili ëndërrohet të iket.

Dikur në Mesjetë, ishte qytet me rëndësi në hartat nautike të Adriatikut. Sot nuk ka vend as për barkat e peshkimit.

Dikur nga Ulqini kanë marrë shembull të tjerët. Sot jemi shembull përsëri. I shkatërrimit.

Mali i Zi ndoshta mundet dhe duhet të festojë pavarsinë, por Ulqini nuk ka asnjë arsye për festë.

 

1 Koment

Comments are closed.