Mali i Zi do të përfitojë mbi 270 milionë euro ndihmë financiare nga BE-ja

0

Një shërbim civil më i mirë dhe i pavarur, një sistem i përforcuar për luftën ndaj krimit të organizuar, një ambient më i mirë i të bërit biznes, kapacitete të zgjeruara për menaxhim mjedisor – këto janë vetëm disa nga qëllimet e dokumentit strategjik më të ri të Komisionit Evropian për Malin e Zi.

Dokumenti Strategjik Indikativ vendos prioritetet në 8 fusha të ndryshme: demokraci dhe qeverisje, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, aksionet e mjedisit, konkurrueshmëria në transport dhe inovacion, arsimimi, punësimi dhe political sociale, bujqësia dhe zhvillimi rural, bashkëpunimi rajonal dhe territorial.

Përpjekjet e Malit të Zi në kontekstin e negociatave për anëtarësim do të duhet të përqendrohen në arritjen e kritereve politike dhe ekonomike të Kopenhagës për anëtarësim në BE, si dhe në adoptimin e EU acquis.

Dokumenti Strategjik Indikativ është rezultat i një procesi të gjerë të konsultimeve në mes të BE-se dhe akterëve të ndryshëm, duke përfshirë Qeverinë e Malit të Zi, organizatave të shoqërisë civile, institucioneve ndërkombëtare dhe Vendeve Anëtare të BE-së.

Strategjia në fjalë identifikon disa nga çështjet kryesore të cilat kërkojnë vëmendje dhe asistencë të mëtejme për ta çuar përpara Malin e Zi në rrugën evropiane. Megjithatë, në dokument nuk janë paraqitur projekte specifike, sepse ky dokument ka për qëllim të shërbejë si kornizë për zhvillimin e veprimeve konkrete.