Kuvendi Komunal: Miratohet plani i sanimit për Komunën e Ulqinit

0

Në seancën e sotme maratonë të Kuvendit Komunal, e cila është duke vazhduar edhe në këto momente, si pikë e parë e rendit të ditës u diskutua plani i sanimit të Komunës.

Kjo pikë u propozua në fillim të seancës, dhe këshilltarët votuan pro futjes së saj në rend të ditës.

Ky plan parasheh që me kredi prej 5.5 milionë eurosh, për të cilën do të garantojë qeveria e Malit të Zi, Komuna të ristrikturojë borxhet e veta ndaj bankave, puntorëve dhe furnizuesve të ndryshëm.

Një pjesë e kësaj shume do të shlyejë komplet borxhet ndaj bankave të cilët ishin me interesa të larta, një pjesë do të shkojë për shlyerjen e borxhit ndaj Ministrisë së financave për kontributet e prapambetura, një pjesë do të përdoret për shlyerjen e pagave të puntorëve të Komunës dhe ndërmarrjeve publike, kurse pjesa tjetër për borxhet ndaj furnizuesve.

Sekretari për financa Valdet Axhemoviq, elaboroi nevojën e ristrukturimit të borxheve të Komunës, pasi ky plan është në të mirën e përgjithshme të Ulqinit.

Edhe këshilltarët e tjerë, si nga pozita ashtu edhe nga opozita, ishin në favor të miratimit të këtij plani, pasi ai relakson detyrimet e Komunës dhe i lë asaj më tepër hapsirë në veprimtaritë e veta financiare.

Megjithëse gati të gjithë këshilltarët ishin pro këtij plani, miratimi i tij zgjati deri vonë, pasi seancën e karakterizuan debate të ndryshme që shpesh nuk kishin të bënin fare me rendin e ditës.

Seanca e Kuvendit vazhdon edhe në këto momente, ku po diskutohen pikat tjera të rendit të ditës.