Kurti: Jam i bindur që do ta ndalim Demarkacionin

0

Deputeti dhe ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shprehur i bindur se opozita dhe sidomos Vetëvendosje, do ta pamundësojnë ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në seancën e 1 shtatorit. Gjatë një konference për media, Kurti ka thënë se aktiviteti i Vetëvendosjes do të përqendrohet si në seancë të Kuvendit ashtu edhe në protesta në rrugë, për të mos lejuar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Ai ka thënë se protesta do të jetë paqësore, por jo edhe e qetë.
“Nuk do të kisha thënë protestë e qetë, sepse jemi njerëz të shqetësuar dhe njerëzit e shqetësuar nuk dalin në protestë të qetë. Por, do të jetë protestë paqësore. Do të jetë protestë masive dhe natyrisht që me vendosmërinë tonë, të cilën do ta shihni nesër, jam i bindur që ne do t’ia arrijmë ta ndalim Demarkacionin”, ka thënë Kurti.
“Pra, unë jam i bindur dhe shumë i qartë se çfarë synojmë, çfarë duam dhe çfarë do të arrijmë”, ka deklaruar ai.
Me gjithë tensionet politike ndërmjet pushtetit dhe opozitës, Kuvendi i Kosovës pritet që më 1 shtator të diskutojë dhe më pas edhe votojë për ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare. Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje do të nevojiten dy të tretat apo 80 vota të deputetëve.