Kryesimi i OSBE ofron një shans dhe një sfidë për Serbinë

0

Zyrtarët serbë po citojnë kryesimin e OSBE nga Beogradi në 2015 si një mundësi të madhe për Serbinë për të provuar veten si një faktor i qëndrueshëm në botë, por analistët paralajmërojnë se vendi mund të gjejë veten në një pozitë jo për t’u pasur zili në balancimin midis Perëndimit dhe Rusisë.

Droja është e madhe se Serbia, megjithse një vend kandidat i BE, ka refuzuar të vërë sanksione ndaj Moskës, gjë që shpuri në kritikë nga Brukseli dhe presion për të harmonizuar politikën e vet me atë të BE, që është ndëshkimi i Moskës lidhur me konfliktin në Ukrainë.

“Serbia është një vend ideal të kryesojë mbi OSBE deri sa problemi ukrainas të zgjidhet,” tha presidenti serb Tomislav Nikoliç në mes të tetorit.

Ai tha se Beogradi mund të përparojë diplomacinë paqe-bërëse sepse “është mik me të gjithë ata që kanë një lloj konflikti”, duke përmendur midis të tjerëve Kinën dhe Japoninë, Izraelin dhe Palestinën, Gjeorgjinë dhe Rusinë, Turqinë dhe Greqinë, si dhe Greqinë dhe Maqedoninë.

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç tha se kryesimi i OSBE është “përparësia politike e Serbisë dhe një shans i madh për vendin për të paraqitur veten në botë si një faktor i rëndësishëm politik.”

Duke paraqitur përparësitë e kryesimit, ai rreshtoi forcimin e rolit të OSBE në Ukrainë dhe një fund tërësor të armiqësive, si dhe pajtimin dhe përmirësimin e bashkëpunimit në Ballkanin perëndimor.

“Me përvojën e një shoqërie pas-konfliktuale që ka kapërcyer me sukses trashëgiminë e konflikteve në rajon, Serbia mund të kontribuojë ndjeshëm në qetësimin e konflikteve në agjendën e OSBE,” tha Daçiç.

Shpresat që përball Beogradi janë të mëdha si në Lindje dhe në Perëndim.

Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov tha se Serbia do të kryesonte mbi OSBE në një vit shumë të rëndësishëm dhe se ai shpreson që organizata të luajë një rol më të madh në krizën e Ukrainës.

Ndihmës sekretarja e shtetit e SHBA Viktoria Nuland tha se foli me Daçiç lidhur me stabilitetin në Bosnje dhe Hercegovinë dhe situatën në Ukrainë, ku Serbia, sapo të jetë në krye të OSBE, do të luajë një rol kyç.

Aleksandar Mitiç, drejtor i OJQ-së Qendra për Alternativat Strategjike, tha se të gjithë sytë do të jenë në Beograd. “Serbia do të synojë të kryejë një presidencë të OSBE të qartë, të drejtpërdrejtë, serioze. Kjo është një mundësi por gjithashtu një minë potenciale për diplomacinë serbe. Serbia duhet të luajë saktësisht sipas rregullave, pasi pasi të gjithë sytë do të fokusohen në atë nëse një kandidat e BE por aleate e Moskës mund të kryejë një rol të paanshëm gjatë krizës ukrainase në vazhdim,” i tha Mitiç SETimes.

Ai shtoi se shumë do të varet në atë nëse mund të mbahet një pushim zjarri në terren.

“Megjithatë, në qoftë se Serbia do ta kishte ditur dy vjet më parë, kur mori propozimin për të kryesuar OSBE, se do t’i duhej të merrej me një të tillë krizë serioze, ajo do të kishte bërë çmos ta ngrinte atë,” tha Mitiç.

Aleksandra Joksimoviç e Qendrës për Politikën e Jashtme, i tha SETimesse nuk mund “të priten mrekulli” nga Beogradi gjatë kohës së vet në krye të OSBE.

“Kriza ukrainase është një çështje e vështirë globale dhe nuk do të ishte mirë për Serbinë ta gjente veten midis Lindjes dhe Perëndimit lidhur me situatën,” tha ajo.

Joksimoviç shtoi se Beogradi do të duhej të bënte disa balancime të shkathta që të mos e gjente veten nën presion shtesë.