Kryeministri serb Vuçiq sot në Tiranë

0

Kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq arrin sot për një vizitë dy ditore në Tiranë, vizitë kjo e cila është cilësuar nga mediet e Beogradit dhe Tiranës si historike, meqë është vizita e parë e një kryeministri serb në Shqipëri.

Për vizitën e Vuçiqit institucionet shqiptare kanë marrë masa të forta sigurie. Ashtu siç bëhet e ditur nga Policia e Tiranës, vizita e kryeministrit të Serbisë do të bllokojë pjesën më të madhe të segmenteve kryesore të kryeqytetit, ndaj dhe Policia këshillon drejtuesit e mjeteve, të qarkullojnë në mënyrë të kufizuar gjatë së mërkurës dhe së enjtes.

Ministria e Jashtme shqiptare ka zbardhur dje agjendën e plotë dhe të detajuar të vizitës së Vuçiqit. Mësohet se mbërritja në Rinas do të jetë në orën 11:00, ndërsa në 11:30, delegacioni do të mbërrijë në Pallatin e Brigadave; më pas do të vijohet me takimin dypalësh të dy kryeministrave dhe të dy delegacioneve, për të përfunduar me konferencën për shtyp rreth orës 13:00. Pas takimit me Ramën, kryeministri Vuçiq do të takohet edhe me Presidentin Bujar Nishani, dhe me kreun e opozitës Lulzim Basha.