Kryeministri i Shqipërisë vizitë Beogradit pas 68 vitesh

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të vizitojë Beogradin më 22 tetor, e cila do të jetë vizita e parë e Kryeministrit të Shqipërisë në Serbi, pas 68 vitesh, konfirmoi sot ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Vizitën e Kryeministrit shqiptar e ka paralajmëruar sot edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Dacic.

Bushati ka thënë se, ndër temat që do diskutohen gjatë vizitës së Ramës në Beograd, do të jenë pozita e pakicës shqiptare në Preshevë dhe njohja e pavarësisë së Kosovës.

Kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë janë takuar në fund të gushtit në Berlin në Konferencë për Ballkanin Perëndimor, në të cilën kanë marrë pjesë liderat e vendeve të rajonit.

Gjatë kësaj konference, Rama ka deklaruar se pranon ftesën e homologut të tij dhe se do ta vizitojë Beogradin më 22 tetor.

Burrështetasi i fundit shqiptar që ka vizituar Beogradin ka qenë Enver Hoxha, në vitin 1946.