Kriporja: Problemet zgjidhen veç kur bën presion Europa

0

Qeveria e Malit të Zi do të sigurojë 165.000 eurot e nevojshme për rivendosjen në punë të pompave të ujit, dhe do të kërkojë nga komuna e Ulqinit ndalimin total të gjuetisë në këtë zonë, me qëllim ruajtjen e biodiverzitetit me rëndësi rajonale dhe europiane, shkruan “Vijesti”.

Kjo erdhi si rezultat i presionit nga BE dhe thirrjes së ambasadoreve  të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë që të ndreqin situatën në Kripore përndryshe rrezikohen bisedimet për integrime.

Kur Europa kërkon diçka, funksionerët e qeverisë malazeze rrinë pothuajse gatitu, duke harruar thëniet se “Kriporja” është pronë private apo votimin në parlament ku partia e tyre ishte kundër shpalljes së saj zonë të mbrojtur.

E dëshmon këtë shpejtësia me të cilën ministri i zhvillimit të qëndrueshëm Branimir Gvozdenoviq i premtoi shefit të drejtorisë së BE për zgjerim Dirk Lange se situata në Kripore do të zgjidhet shumë shpejt. Edhe Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian i dërguan shkresë qeverisë malazeze ku i rikujtuan asaj obligimin për mbrojtjen e këtij lokaliteti sipas konventave të Bernit, Bonit dhe Ramsarit, nënshkruese e të cilave është edhe Mali i Zi.

Sipas sekretares së shtetit Daliborka Pejoviq, kjo zonë do të shpallet park natyror në të cilin gjuetia do të jetë e ndaluar dhe se për këtë do të kujdeset Ndërmarrja komunale për mbrojtjen e egërsirave në Ulqin.

Është koha që në Mal të Zi të kuptohet se integrimi në BE nuk është vetëm retorikë në konferenca për shtyp apo promovime zgjedhore, por se kërkohet punë dhe plotësim i kushteve.

Është më se e qartë që në këtë proces do të ketë mjaft koka të “thyera”, dhe se rasti i Kripores është vetëm një shembull i vogël.