Kosovë, Vetëvendosje del me propozime për Demarkacionin

0

Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar planin e saj pesë pikësh, si propozim për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Propozimi i këtij plani, sipas Vetëvendosjes, vjen si rrjedhojë e nevojës për anulimin e marrëveshjes aktuale me Malin e Zi.
Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se marrëveshja aktuale është e pasaktë dhe e padrejtë.
Sipas tij, “marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi duhet të shqyrtohet me themel” dhe ajo të jetë në përputhje me rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare Publike, me parimin e integritetit territorial të Kosovës dhe me parimin e fqinjësisë së mirë.
Hapi tjetër sipas Ymerit, është që Kuvendi i Kosovës ta themeloj “një komision gjithëpartiak e mbipartiak i cili do t’i trajtojë modalitetet juridike të një rishikimi të tillë”.
Ai i ka propozuar kryeministrit të Kosovës që “të kërkojë nga homologu i tij malazias rinegocimin rreth shënjimit të kufirit”, si dhe të zotohet para institucioneve të Bashkimit Evropian “për një zgjidhje të drejtë të shënjimit të kufirit me Malin e Zi”.
Gjithashtu, Ymeri ka theksuar se nevojitet “një konferencë shkencore ndërkombëtare në Prishtinë mbi çështjet e demarkacionit të kufirit” ku do të ishin të ftuar “profesionistë e ekspertë të vendit e të huaj”.
Ymeri ka thënë se Kosova duhet ta ketë të demarkuar kufirin me Malin e Zi, por vetëm mbi bazën e një marrëveshje të drejtë.