Kosovë, sot votohet demarkacioni, VV-ja proteston

0

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në një seancë plenare, ku shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, I kundërshtuar nga opozita, është pika e 6-të e axhendës 8-pikëshe. Ky projektligj është miratuar njëzëri në 4 gusht nga qeveria e Kosovës, qe dje ka zhvilluar mbledhjen e 107-të, të 39-tën këtë vit.
Në kundërshtim të ratifikimit të demarkaciont, subjekti më i madh opozitar kosovar, Lëvizja Vetëvendosje, ka ftuar protestë para Kuvendit të Kosovës, me fillim në orën 11:00 sot në ditën e seancës plenare. LVV protestën e sotme e ka paralajmëruar si historike, ndërsa dy partitë e tjera opozitare, AAK e Nisma, kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në protestë, por pas bojkotit disamuajsh do marrin pjesë në séance plenare ku edhe me votë do jenë kundër demarkacionit. Në seancën e Kuvendit të paralajmëruar për në orën 11:30, para demarkacionit në axhendë janë dy interpelanca sipas kërkesave nga deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, të kryeministrit Isa Mustafa, në lidhje me kodin telefonik shtetëror të Kosovës, si dhe në lidhje me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. Seanca nis me koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, ndërsa dy pikat e fundit në axhendë janë shqyrtimi i raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2015, si dhe propozimi i Grupit Parlamentar të AAK-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.