Kosovë, referendumi nuk sjell ndryshime kushtetuese as themelim të ushtrisë

0

Ligji për referendumin nuk do të sjellë zgjidhje për çështjet që kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, thonë deputetë dhe njohës të çështjeve juridike. Ata ndajnë mendime të ndryshme nëse, Kosova ka nevojë apo jo të ketë ligjin për referendum, si formën më të drejtpërdrejtë të demokracisë që përfshin qytetarët në vendimmarrje.
Por, sido që të jetë, ky ligj, thuhet se nuk do të mund të prekë në dispozitat e Pakos së Presidentit Marti Ahtisaarit dhe as nuk do të mund të iniciojë ndryshimet kushtetuese.
Deputeti në Kuvendin e Kosovës, Arben Gashi, thotë se me Pakon e Ahtisaarit, i njohur si propozimi gjithëpërfshirës, mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, është paraparë që për disa çështje që prekin Kushtetutën dhe nivelin qendror nuk mund të organizohen referendume, përderisa është përcaktuar qartë se për çfarë mund të dilet në referendum në nivelin lokal.
Sa u përket referendumeve në nivelin qendror, deputeti Arben Gashi thotë se i takon Kuvendit që sa më shpejt ta specifikojë mënyrën e organizimit të referendumeve dhe funksionimit të tyre.Në opinion, por edhe në debate politike, shpesh është ngritur çështja e bllokadës së krijuar në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, siç është rasti me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura. Por, Gashi thotë se ky transformim kërkon ndryshime kushtetuese, ndryshime këto që nuk mund të bëhen përmes referendumit.
Ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës në konceptin e saj, sipas Arben Gashit, do të mundësohej vetëm përmes një aranzhimi të ri politik me faktorin ndërkombëtar, marrë parasysh se edhe vetë akti i shpalljes së pavarësisë ishte një akt i koordinuar me shtetet mbështetëse të pavarësisë së Kosovës.
Ligji për referendumin, deri më tani më shumë ka qenë temë debati vetëm në ato momente politike kur institucionet nuk kanë ofruar zgjidhje për çështje të caktuara. Megjithatë, një draft-ligj për referendumin nuk është proceduar ende qoftë nga qeveria apo si nismë e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.