Kosovë, Mustafa: Po punojmë për të miratuar demarkacionin në Kuvend

0

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se “institucionet në Prishtinë po punojnë në zgjidhjen e problemit të demarkacionit me Malin e Zi”, me qëllim që “marrëveshja të miratohet së shpejti”.
Në një intervistë me të përditshmen malazeze Pobjeda, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Mustafa tha se “institucionet e Kosovës po punojnë që të arrijnë një numër të mjaftueshëm për të miratuar marrëveshjen në Kuvendin e Kosovës”.
Qeveria e Kosovës e tërhoqi nga Kuvendi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi, që u nënshkrua në gusht të vitit 2015 në Vjenë në praninë e përfaqësuesve ndërkombëtarë. Mali i Zi ka miratuar marrëveshjen.
Marrëveshja ka ngjallur reagimin e fuqishëm të opozitës në Kuvendin e Kosovës, ku ka përdorur gazin lotsjellës për të parandaluar votimin, dhe njëkohësisht ka zhvilluar edhe protesta në rrugë, me pretendimet se Kosova me marrëveshje humb pjesë të territorit të saj.
Së fundi, Komisioni Evropian, me rekomandimin për liberalizimin e vizave, ka kushtëzuar Kosovën me miratimin e marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi dhe me fuqizimin e luftës kundër korrupsionit.