Kosovë, AAK: Demarkacioni të kthehet në pikën zero

0

Pas një debati dhe kundërshtimi të ashpër, që po zhvillohet tash e një vit lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se do t’i ftojë partitë opozitare në një takim, me qëllim që të shteren të gjitha argumentet dhe të mos politizohet skajshmërisht çështja e Demarkacionit me Malin e Zi.
Por se a do t’i përgjigjen ftesës së kryeministrit, partitë opozitare, kjo mbetet të shihet. Pal Lekaj nga AAK-ja thotë për Kosovapress se fakti që kryeministri i vendit, pas një viti e ka marrë guximin të deklarohet për mundësinë e një takimi, është mesazh se me në fund Qeveria e ka kuptuar se marrëveshja për Demarkacionin, është e dëmshme për Kosovën dhe kështu nuk duhet dhe nuk do të marrë votën e legjislativit.
Ndërsa thotë se kjo marrëveshje fillimisht duhet të kthehet në pikën zero dhe pastaj të ulen të gjithë liderët politik për të gjetur një zgjidhje e qëndrueshme. Ndërsa thotë se tryeza për ta arsyetuar versionin e tanishëm të Demarkacionit, vetëm sa do ta thellojë problemin.
“Qëndrimi i Aleancës,është që kjo marrëveshje fillimisht duhet të kthehet në pikën zero dhe pastaj të ulën të gjithë liderët politik, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, e të besueshme që nuk e dëmton Kosovën dhe territorin e saj. Pra e përsërisim, nëse mendohet që të ketë tryeza për të arsyetuar këtë version të demarkacionit, ajo nuk është zgjidhje por vetëm thellim i problemit”, tha Lekaj.
Ndërsa Bilall Sherifi, nga Nisma për Kosovën thotë se nuk mund të komentojë deklarata të politikanëve që vrapojnë poshtë e lart. Ai thotë se mund të komentojë vetëm ftesa, e një ftesë për një takim të tillë ata nuk e kanë marrë.
“Nuk komentoj deklarata, unë komentoj ftesa. Duhet të na vjen ftesa nga kryeministri së pari dhe më pastaj mund të vendosim se a do t’i përgjigjemi apo jo thirrjes për takim. Ne nuk kemi asnjë ftesë dhe nuk mund të flas për diçka që nuk e kemi marrë. Nuk komentoj deklarata të politikanëve të cilët vrapojnë lartë e poshtë“, tha Sherifi.
E zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë dashur të flasin për deklaratat e kryeministrit, për ftesë partive opozitare. Të kontaktuar nga KosovaPress, zyrtarë të kësaj Lëvizje,kanë thënë se sot nuk mund të deklarohen rreth kësaj deklaratë të kryeministrit Mustafa.
Sot kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se do t’i ftojë të partitë opozitare në një takim për të diskuatuar për Demarkacionin.