Kosova feston 7 vjetorin e pavarsisë

0

Kosova shënon sot 7 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Kësaj radhe megjithatë kremta e pavarësisë po kalon në frymën e diskutimeve mbi migrimin e paligjshëm të disa mijëra qytetarëve të Kosovës.

Ky fenomen, sipas shoqërisë civile vjen si rezultat i gjendjes së rënduar sociale dhe humbjes së besimit në institucione.

Festa e pavarësisë, po shënohet pak kohë pas çarjeve të thella të spektrit politik, në pushtet dhe opozitë që u reflektuan edhe me protestat e fundit që rezultuan në dhunë të hapur mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Raportet e tensionuara ndërmjet pushtetit dhe opozitës po reflektohen edhe në festën e këtij viti.

Komuna e Prishtinës, që udhëhiqet nga një politikan opozitar, Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje, ka anuluar gati se të gjitha aktivitete e zakonshme festive në kryeqytet.

Kurse nga institucionet qendrore, në agjendë janë vënë homazhet e liderëve institucional te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si dhe është caktuar mbajtja e një seance solemne të Kuvendit të Kosovës.

Këtë përvjetor, në Prishtinë nuk do të parakalojnë trupat e Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Me të gjitha vështirësitë, Kosova vazhdon të shënojë një rritje ekonomike prej afër 4 për qind, sado që ekspertët e vlerësojnë si të pamjaftueshme për zhvillimin e saj ekonomik dhe zbutjen e papunësisë.

Krijimi i shtetit të Kosovës, është vlerësuar se i ka dhënë një dimension të ri paqes e stabilitetit në rajon.