Komuna e Ulqinit implementon shërbimin SMS për informim të qytetarëve

0

Nga Qendra për Sistem të Informacionit njoftuan që Komuna e Ulqinit është duke implementuar shërbimin e ri për qytetarë, që përfshin informimin e tyre me anë të SMS-së lidhur me statusin e kërkesave që drejton në Komunë. Shërbimi do të implementohet fillimisht në Sekretariatin për Planifikim Hapësinor, e më pas edhe në atë për Ekonomi.

“Qytetari i cili ka dorëzuar një kërkesë në Zyrën për Qyterarë të Komunës së Ulqinit,  informohet me anë të SMS-së e cila gjenerohet nga sistemi lidhur me përfundimin e lëndës, si dhe informohet se ku duhet të drejtohet për lëndën përkatëse”, tha Teuta Mehmeti, udhëheqëse e Qendrës për Sistem të Informacionit.

Shërbimi SMS është pjesë përbërëse e sistemit elektronik të qeverisjes lokale, i cili u implementua në kuadër të projektit për qeverisje efikase në Mal të Zi.

Vlera e projektit që u realizua vitin e kaluar ishte 100 mijë euro dhe u financua nga USAID-i dhe u implementuanga Instituti East-West Management në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit. Në kuadër të tij u realizua: ndërtimi i hapësirës së re të zyrës për qytetarë e pajisur me teknologjinë më moderne, infrastruktura e re e IT, e cila përfshin rrjetin kompjuterik dhe telefonik në objektin e Komunës, si dhe softuerin e ri të Sistemit Inteligjent të Menaxhimit, të përshatur me nevojat dhe procedurat e Komunës. Këto mundësojnë një komunikim më të shpejtë dhe më efikas në mes të punonjësve të administratës, si dhe procesimin elektronik të të gjitha dokumenteve nga arkivi deri tek shërbimet dhe sekretariatet përkatëse.