Koalicioni Shqiptar kërkon përdorimin e gjuhës shqipe në administratën e Komunës së Tivarit

0

Koalicioni Shqiptar në Tivar, i përbërë nga Forca, LD në MZ dhe PD, ka dalë sot me deklaratë për shtyp, të cilën mund ta lexoni më poshtë:

Koalicioni Shqiptar, përmes përfaqësuesit të vet ne Kuvendin e Komunës së Tivarit Ismail Doda, dorëzoi kërkesën për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe në administratën e kësaj komune.

Kjo kërkesë bazohet në të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare nga banorët shqiptarë që jetojnë në këtë komunë, e drejtë kjo që e lejonte dhe statuti i Komunës së Tivarit në vitin 1970, ndërsa ai i sotmi jo!

Kërkesa jonë bazohet në “Kartën Evropiane për gjuhët minoritare”, si dhe “Kushtetutën e Malit të Zi (neni:79, pika:3 dhe 5)”.

Ju bëjmë thirje publike të gjithë subjekteve politike që veprojnë në këtë komunë të mbështesin këtë iniciativë, sepse e drejta e gjuhës është e drejtë themelore e të drejtave të njeriut dhe neglizhimi i një problematike të tillë nuk kontribuon në progresin dhe demokratizimin pikësëpari të banorëve të kësaj komune, e as Malit te Zi në përgjithësi.