Kim Mehmeti: Shqiptarët në Maqedoni, më keq se në regjimin socialist

0

Shqiptarët e Maqedonisë aktualisht ndodhen në pozitë më të vështirë se në kohën e sistemit socialist. I këtij mendimi është publicisti i njohur Kim Mehmeti, i cili ftoi shqiptarët e Maqedonisë të jenë më të zëshëm kundër padrejtësive ndaj tyre. Ai tha, se nevojitet një platformë e qartë për të treguar se në çfarë Maqedonie dëshirojnë të jetojnë shqiptarët.

“Ne nuk e duam as Maqedoninë që na e rekomandojnë partitë tona, por ne e duam një Maqedonia ku do të futet në Kushtetutë sistemi i demokracisë dy etnike, konsensuale. Ne jetojmë në një shtet të partizuar, shtet që është pronë i VMRO-së, që ka dy vasalë, dy duar shqiptare që na godasin ne, shqiptarëve, BDI-në dhe PDSH-në”- thotë analisti Kim Mehmeti.

Ai vlerëson se partitë shqiptare në Maqedoni nuk duhet të bëhen pjesë e, pushteteve anti-shqiptare në Shkup. Ai ftoi autoritetet e Tiranës dhe Prishtinës të mos lejojnë që takimet me zyrtarët maqedonas të shërbejnë për të legjitimuar padrejtësinë ndaj shqiptarëve.

“Nuk është e mundur që Tirana zyrtare mos ta dijë se në Shkup zbatohet projekti anti-shqiptar ‘Shkupi 2014’ dhe ata të sillen si me një qeveri dhe vend shumë miqësor me Maqedoninë. Presidenti shqiptar pret me të gjitha ceremonitë solemne Presidentin e Maqedonisë” – vlerëson Mehmeti.

Gjatë një bashkëbisedimi me studentët shqiptarë në Shkup, publicisti Kim Mehmeti ka shprehur shqetësimin e tij për shpërnguljen e madhe të rinisë shqiptare nga Maqedonia , që sipas tij, vjen si rezultat i politikave diskriminuese dhe mungesës së perspektivës.